Izraeli kryen sulme me raketa ndaj Sirisë

Izraeli ka ndërmarrë sulme me raketa në zonat përreth aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit të Sirisë, Damask, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të publikuar nga agjencia e lajmeve SANA e regjimit të Bashar al Asadit, dy nga raketat e Izraelit kanë rënë në zonat përreth aeroportit ndërkombëtar në Damask.

Ndërkohë sipas informimeve të gazetarëve të AA-së në qytetin Dera në jug të Sirisë, mësohet se sistemet e mbrojtjes ajrore të regjimit të Asadit kanë lëshuar një raketë për t’iu përgjigjur avionit izraelit, por se ushtria izraelite ka neutralizuar këtë raketë mbi qiellin e qytetit Dera.

Pas kësaj regjimi ka kryer edhe një provë tjetër, ku edhe këtë herë mësohet se avionët izraelitë kanë vënë në shënjestër platformën nga ku janë ngritur raketat.

Pas sulmeve avionët izraelitë kanë fluturuar për një kohë të gjatë në qiellin mbi Dera dhe Kunejtra në jugperëndim të vendit.

Ndërkohë theksohet se autoritetet izraelite ende nuk kanë bërë ndonjë deklaratë në lidhje me sulmet.

Izraeli në 3 muajt e fundit ka ndërmarrë sulme ndaj pikave ushtarake të regjimit dhe mbështetësve të tij iranianë të vendosura në qytetet Homs, Dera, Kunejtra dhe Damask të Sirisë.