Izraeli tani kontrollon të paktën gjysmën e Rripit të Gazës, ndërsa palestinezët detyrohen të shpërngulen në zona gjithnjë e më të ngushta, raporton agjencia Associated Press, duke cituar studime të ekspertëve dhe organizata të të drejtave të njeriut.
Sipas grupit izraelit të të drejtave të njeriut ‘Breaking the Silence’, në ditët e para të luftës, trupat izraelite dëbuan palestinezët nga komunitetet afër kufirit dhe shkatërruan tokën për të krijuar një “zonë bufer” me thellësi mbi 1 kilometër. Pas rifillimit të ofensivës muajin e kaluar, kjo zonë është zgjeruar deri në 3 kilometra në disa pjesë të Gazës.
Përveç kësaj, ushtria izraelite ka marrë nën kontroll edhe një pjesë të rëndësishme të territorit të njohur si Korridori Netzarim, i cili e ndan Gazën veriore, përfshirë qytetin e Gazës, nga pjesa tjetër e territorit bregdetar me mbi 2 milionë banorë.
Profesori i studimeve mjedisore në Universitetin Ben Gurion, Yaakov Garb, ka analizuar modelet e përdorimit të tokës në rajon për dekada dhe konfirmon se zona e pushtuar nga Izraeli përbën të paktën 50% të Gazës.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi synimin për të krijuar një korridor të ri që do të presë në mes Gazën jugore, duke e izoluar qytetin e Rafahut nga pjesa tjetër e territorit — një hap që rrezikon të përkeqësojë krizën humanitare.
Situata në terren mbetet e tensionuar, me miliona palestinezë të detyruar të jetojnë në zona gjithnjë e më të kufizuara dhe pa siguri, përballë një lufte që vazhdon të shkatërrojë infrastrukturën dhe jetën civile. /mesazhi