Izraeli kërkon plan për të mposhtur Hamasin në mes të krizës humanitare në Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka kërkuar nga ushtria izraelite që të hartojë strategji për të “mposhtur Hamasin” në Gaza, duke kërcënuar me përshkallëzim të mëtejshëm nëse përpjekjet për të siguruar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve dështojnë përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, të marrë detyrën më 20 janar, transmeton Anadolu.

“Kam udhëzuar ushtrinë izraelite të përgatisë plan gjithëpërfshirës për të mposhtur Hamasin në Gaza nëse pengjet nuk lirohen deri në kohën kur presidenti Trump të marrë detyrën më 20 janar”, tha Katz.

Kjo thirrje për përshkallëzim ushtarak vjen në mes të mizorive të vazhdueshme izraelite në Gaza dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të finalizuar një marrëveshje për shkëmbim pengjesh dhe armëpushim.

“Ne nuk duhet të biem në një luftë rrënimi kundër Hamasit në Gaza, derisa pengjet mbeten të bllokuar në tunele në rrezik të madh për jetën dhe duke vuajtur”, theksoi Katz.

Kjo retorikë vjen në një kohë kur Izraeli tashmë ka shkaktuar vuajtje të gjerë mbi popullin e Gazës dhe gjithashtu thuhet se ka vrarë disa pengje në enklavë.

Katz gjithashtu aludoi për pranimin e propozimeve nga ekstremistët izraelitë, përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, të cilët mbrojnë reduktimin ose ndërprerjen e ndihmës humanitare ndërkombëtare për palestinezët në Gaza.

Shefi i mbrojtjes izraelite më tej tha se “çdo zgjidhje politike për Gazën është e parëndësishme nëse Hamasi nuk eliminohet plotësisht”, duke i bërë jehonë mohimit të gjatë të sovranitetit palestinez nga Izraeli.

Për më shumë se një vit, Hamasi ka shprehur gatishmërinë e tij për të finalizuar një marrëveshje dhe madje në maj të vitit 2024 ra dakord për një propozim të presidentit amerikan Joe Biden. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tërhoq nga marrëveshja duke vendosur kusht të ri.

Që nga 7 tetori 2023, ushtria izraelite vazhdon luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë mbi 46 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pavarësisht nga rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).