Komandantët e Forcave Ajrore izraelite kërcënuan të mërkurën se do të dëbojnë rreth 970 pjesëtarë të personelit – përfshirë pilotë, oficerë dhe ushtarë – nëse nuk tërheqin nënshkrimet e tyre nga një letër që kërkon përfundimin e luftës në Gaza, raporton media lokale, transmeton Anadolu.
E përditshmja izraelite Haaretz raportoi se “rreth 970 anëtarë të ekuipazhit ajror, disa në shërbim aktiv rezervë, nënshkruan letrën duke kundërshtuar luftën, por jo duke bërë thirrje për refuzim për të shërbyer”.
Ditët e fundit, drejtues të lartë të forcave ajrore bënë telefonata personale me rezervistët që mbështetën mesazhin, duke u kërkuar atyre të tërhiqnin mbështetjen e tyre, tha gazeta. Sipas Haaretzit, komandantët i kanë informuar rezervistët se ata përballen me shkarkimin nëse refuzojnë kërkesën.
Pas kërcënimit, vetëm 25 nënshkrues kanë tërhequr emrat e tyre, ndërsa tetë të tjerë kanë kërkuar të shtojnë nënshkrimet e tyre.
Nënshkruesit e letrës, duke përfshirë oficerë të lartë të forcave ajrore dhe pilotë, kanë thënë se “luftimet në Gaza u shërbejnë interesave politike, jo atyre të sigurisë”.
Anëtarët e opozitës izraelite kanë thënë prej kohësh se lufta në Gaza ka për qëllim t’i mundësojë kryeministrit Benjamin Netanyahu të qëndrojë në detyrë dhe nuk ka asnjë lidhje me sigurinë e Izraelit.