Izraeli ka shkelur mbi 300 herë marrëveshjen e armëpushimit me Libanin

Në një periudhë më pak se një muaj, Izraeli ka shkelur më shumë se 300 herë marrëveshjen e armëpushimit me Libanin, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite kreu 6 shkelje të marrëveshjes së armëpushimit me Libanin në ditën e saj të 29-të. Numri i shkeljeve të kryera nga ushtria izraelite që nga 27 nëntori kur u shpall armëpushimi me Libanin u rrit në 301. Nga këto sulme kanë humbur jetën 33 persona ndërsa 37 të tjerë janë plagosur.

Sipas agjencisë libaneze të lajmeve NNA, ushtria izraelite ka kryer shkelje të tilla si bombardime, djegie shtëpish, fluturim me avionë luftarakë dhe dronë dhe hapje zjarri në Baalbek në lindje të Libanit, Bint Jbeil në Nabatieh në jug dhe rajone të ndryshme.

Është vërejtur se dronët izraelitë kanë kryer fluturime në nivele të ulët në Dahieh që njihet si bastioni i Hezbollahut në jug të kryeqytetit Bejrut. Avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një shtëpi në fushën e qytezën Tariya në Baalbek, në lindje të Libanit por nuk janë raportuar viktima apo të plagosur.

Ndërsa në qytezën Bint Jbeyl në Nabatieh në jug të vendit ushtarët izraelitë i vunë zjarrin një shtëpie në zonën Maroun al-Ras si dhe hapën zjarr me armë të mesme dhe të rënda në qytet. Avionët luftarakë dhe dronët izraelitë janë parë duke fluturuar gjithashtu dhe në juglindje të Libanit.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, që nga 8 tetori 2023 e deri më tani të paktën 4.061 persona, përfshirë 1.106 gra dhe fëmijë si dhe 222 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë humbur jetën ndërsa 16.661 persona janë plagosur.

Marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi më 27 nëntor në orën 04:00 sipas kohës lokale.

Në nenin e dytë të marrëveshje thuhet se “Qeveria libaneze do të parandalojë Hezbollahun ose çdo grup tjetër të armatosur të vendosur në territorin libanez nga kryerja e ndonjë operacioni kundër Izraelit ndërsa Izraeli nuk do të ndërmarrë asnjë sulm ushtarak nga toka, deti ose ajri kundër objektivave civile, ushtarake ose atyre shtetërore në Liban”.