Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli ka filluar “të nxjerrë fshehurazi ushtarët e tij gjenocidalë” nga shtete...

Izraeli ka filluar “të nxjerrë fshehurazi ushtarët e tij gjenocidalë” nga shtete të ndryshme nga frika e arrestimit

Dyab Abou Jahjah, themelues dhe President i Fondacionit “Hind Rajab” i cili synon të gjurmojë ushtarët izraelitë që kryen krime lufte në Gaza dhe t’i gjykojë ata në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare, tha se Izraeli ka nxjerrë fshehurazi ushtarët e tij nga shumë vende, duke përfshirë nga Sri Lanka dhe Holanda me shqetësimin se ata do të gjykohen.

Jahjah shpjegoi për Anadolu se si videot dhe fotot e shpërndara nga ushtarët izraelitë nga Gaza u përdorën si dëshmi e krimeve të luftës dhe përpjekjet që ata kanë bërë për gjykimin e tyre në mbarë botën.

Fondacioni “Hind Rajab” që ka marrë emërtimin nga vajza palestineze që u vra nga ushtarët izraelitë kur ajo ishte 6-vjeç, e ka selinë në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, tha Jahjah, duke theksuar se fondacioni është themeluar në shtator të vitit të kaluar dhe se qëllimet e tij janë të kërkojnë drejtësi duke gjurmuar ushtarët izraelitë që kanë marrë pjesë në sulmet në Gaza.

Jahjah bëri të ditur se kryesisht kundër ushtarëve izraelitë me shtetësi të dyfishtë ata kanë ngritur padi në gjykatat lokale të vendeve ku ata janë shtetas. “Kemi vënë re se autoritetet izraelite janë shumë të shqetësuara për këtë çështje. Kjo strategji ka provuar se është shumë e shpejtë dhe efektive. Kështu që ne filluam të punojmë në thellësi dhe kuptuam se ajo mbushi një boshllëk të rëndësishëm në proceset gjyqësore ndërkombëtare”, tha ai.

– “Ju e keni xhiruar atë film dhe e keni vënë në llogarinë tuaj. Ky është një pranim i qartë”

Pasi tërhoqi vëmendjen se me përhapjen e përdorimit të gjerë të mediave sociale ka ndryshuar gjithçka duke përfshirë provat digjitale dhe procedurat ligjore, Jahjah theksoi se zyrtarët izraelitë janë zhgënjyer nga provat e krimeve të luftës të publikuara nga ushtarët.

Ushtarët e paralajmëruar nga autoritetet izraelite ishin pjesë e gjeneratës së re dhe se ata bënë disa postime që të ishin të dukshme në rrjetet sociale, shpjegoi Jahjah.

“Dikush ju thotë ‘Shikoni, ky është krimi që kam kryer dhe po e filmoj dhe po e vendos në llogarinë time që ta shohë e gjithë bota’. Tashmë është shumë e vështirë që ata të mbrojnë veten, sepse bëhet fjalë për një situatë të tillë si ‘Ne dyshojmë për ty sepse kemi parë dikë që të ka parë dhe ai gjithashtu po dëshmon‘. Në të kaluarën, vetëm kjo ishte e mjaftueshme për të vërtetuar krimet e luftës. Ju e keni xhiruar atë film dhe e keni vënë në llogarinë tuaj. Ky është një pranim i qartë”.

Jahjah, theksoi se do të vazhdojnë të ndjekin penalisht kryesisht ushtarët që kanë shtetësi të dyfishtë ose që udhëtojnë dhe se do të aktivizojnë juridiksionin e vendeve. “Ne i kemi këto të dhëna. Është tepër vonë që disa ushtarë të fillojnë t’i fshijnë. Ato nuk do të fshihen. I kemi të gjitha, i kemi regjistruar dhe janë në çdo vend të planetit, janë përhapur qindra kopje nga Brazili në Japoni, nga Afrika e Jugut e deri në Islandë, pra tashmë është shumë vonë. Provat do të shkojnë në gjykatë dhe drejtësia do të vihet në vend”, shtoi Jahjah.

– “Izraeli na ka vënë re dhe po përpiqet të na ndalojë”

Duke u shprehur se Fondacioni “Hind Rajab” është ende në fillim të rrugës, Jahjah theksoi se suksesi i tyre më i madh është që këto procese gjyqësore i kryejnë me shumë kujdes dhe seriozitet.

“Izraeli na ka vënë re dhe po përpiqet të na ndalojë” deklaroi Janjah, duke shtuar: “Fillimisht ata menduan se ne thjesht po bënim propagandë dhe ekspozim. Kjo u provua në gjykimin në Brazil kur gjykatësi urdhëroi një hetim për një ushtar izraelit dhe ata u detyruan ta largonin atë. Ata u detyruan ta largojnë sepse e kuptuan se procedurat ligjore dhe ndoshta arrestimi ishte i pashmangshëm. E njëjta gjë është përjetuar shumë më përpara se ngjarja në Brazil. Ata e kanë bërë këtë në Sri Lanka, Tajlandë dhe Holandë për tre ushtarë. Izraeli e di shumë mirë se ajo që po bëjmë është punë ligjore serioze dhe duan të na ndalojnë”.

Jahjah vuri në dukje se ky gjenocid është global dhe se krimet e luftës janë kryer nga ushtarë izraelitë nga çdo vend, ndërsa shpjegoi se drejtësia duhet të globalizohet në të njëjtën masë dhe se të gjitha vendet kanë përgjegjësi për të ndëshkuar autorët.

Pasi bëri të ditur se edhe Türkiye ka një përgjegjësi në këtë çështje, Jahjah u shpreh: “Ne jemi shumë shpresues nga Türkiye, sepse e dimë se zemrat e tyre janë në vendin e duhur. Shpresojmë që Türkiye të marrë përgjegjësinë për të ndjekur qytetarët turq që aktualisht shërbejnë në ushtrinë izraelite dhe që kanë marrë pjesë në këtë gjenocid, sepse Türkiye ka juridiksion mbi ta kudo që ata janë”.

– “Prioriteti ynë është të ndjekim autorët”

Jahjah tha se Koordinatori i Operacioneve në Territoret Palestineze, gjeneralmajor Ghassan Alian, ndodhej në Itali për mbledhje dhe se Fondacioni “Hind Rajab” i informoi autoritetet italiane për këtë.

Ne kemi bërë padi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), por edhe avokatët tanë në Itali po bëjnë një ankesë kundër gjeneralmajor Alian në një gjykatë vendase, tha Jahjah i cili vazhdoi më tej:

“Kur ICC lëshoi ​​një urdhër arresti për Netanyahun dhe Gallantin, dy bazat për arrestimin ishin përdorimi i urisë si armë lufte dhe politika ndaj spitaleve. Gjeneralmajor Alian është personi që e zbatoi këtë në terren dhe e mbikëqyri faktikisht, pra nëse ka dikush që duhet të arrestohet së bashku me Gallant dhe Netanyahun, ai është Alian. Ne shpresojmë që gjyqësori italian do të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Jahjah nënvizoi se ruajtja e provave është shumë e rëndësishme në punën e Fondacionit dhe tha se janë bërë përpjekje të mëdha për mbrojtjen e burimit dhe të dhënave origjinale. Ai vuri në dukje se ndarja e provave që shihen në rrjetet sociale dhe përdorimi i tyre si provë ligjore janë gjëra të ndryshme dhe tha se pasi të përgatiten provat, avokatët e tij merren me procesin ligjor në fazën e dytë.

Pasi vuri në dukje postimet ku ushtarët izraelitë bënin komente gjenocidi për shtëpitë e shkatërruara në Gaza, Jahjah tha se “Për të ngritur një çështje ligjore, së pari duhet të identifikoni ushtarin dhe të jeni të sigurt. Së dyti, duhet të përcaktoni vendndodhjen. Për shembull, duhet të përcaktoni gjeografikisht saktësisht se ku ndodhet në Gaza shtëpia në video. Gjithashtu duhet të përcaktoni kohën kur është bërë fotografia. Kur ti posedoni këto tre të dhëna, ju duhet të kontrolloni të gjitha këto dhëna”.

Qëllimi i fondacionit është fillimisht ndjekja e autorëve që kanë kryer gjenocid dhe krime të luftës, ndërkohë që bashkë me këtë është krijuar edhe ndërgjegjësimi në opinionin publik, shpjegoi Jahjah, duke thënë se shumica e proceseve në lidhje me rastet kryhen në heshtje dhe se ajo që ata bëjnë është shumë më tepër se ajo që njoftojnë.

“Për shembull, nëse e dini emrin e ushtarit, duhet të dini se nga cili batalion, brigadë, divizion apo kompani është ai. Hetoni informacionet e tilla si ‘Ku ishin ata të stacionuar dhe cili ishte misioni i tyre në rajon?‘. Pastaj është e nevojshme të shqyrtohen me kontroll të kryqëzuar krimet e kryera gjatë asaj periudhe dhe të shihen të gjitha krimet e raportuara. Me pak fjalë, është i gjithë një proces i detajuar që kërkon përpjekje. Kur e bëni një herë këtë, ju ndërtoni një rast solid në nivelin e përmbajtjes, mjekësisë ligjore dhe gjeografisë”, theksoi Jahjah.

Exit mobile version