Izraeli ka nisur ndërtimin e një muri betoni 45 kilometra të gjatë dhe 9 metra të lartë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria izraelite e Mbrojtjes thuhet se “Administrata e Kufirit dhe Linjës së Kontaktit në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës Qendrore e Ushtrisë Izraelite kanë filluar të ndërtojnë një mur mbrojtës 45 kilometra përgjatë vijës së kontaktit në veri të Bregut Perëndimor”.
Në deklaratë theksohet se “një mur i madh betoni, 9 metra i lartë, do të përmbajë procedura mbrojtëse dhe masa të tjera teknologjike”.
Thuhet se muri i ri do të zëvendësojë një gardh të ndërtuar rreth 20 vjet më parë.
Shefi i Drejtorisë së Kufirit të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Eran Ophir tha se “Puna do të zgjasë rreth një vit. Çdo pjesë e mbyllur e murit do të pengojë hyrjen në Izrael. Në të njëjtën kohë ne vazhdojmë të mbyllim boshllëqet në linjën e kontaktit”.
Izraeli thotë se dëshiron të parandalojë palestinezët që të depërtojnë në Izrael nga Bregu Perëndimor.
20 vjet më parë, në qershor 2002, Izraeli filloi të ndërtojë “Murin ndarës”, i njohur si “Muri i Turpit dhe Aparteidit”, në tokat e Bregut Perëndimor që i kishte pushtuar që nga viti 1967, me pretekstin e parandalimit të palestinezëve që të depërtojnë në territorin izraelit. Ky hap i Izraelit u dënua nga Autoriteti Palestinez dhe OKB-ja.
Në raportet e saj, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se “Muri i ndarjes” është 712 kilometra i gjatë ndërsa 85 për qind e tij ndodhet në rajonin e Bregut Perëndimor dhe jo në “Vijën e Gjelbër” që përcaktoi kufijtë e vitit 1967. /aa