“Izraeli është një regjim aparteid”

Ish-prokurori i përgjithshëm i Izraelit, Michael Benyair deklaroi se “ai tani e sheh vendin e tij si një regjim aparteid”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Benyair, në artikullin e tij për faqen e lajmeve irlandeze “The Journal” foli lidhur me klasifikimin e veprimeve të qeverisë izraelite në territoret e pushtuara palestineze si “aparteid (diskriminim sistemik)” nga Amnesty International dhe organizata të tjera të të drejtave të njeriut.

Duke theksuar se ai e kaloi karrierën e tij si ish-prokuror i përgjithshëm në analizimin e çështjeve më urgjente ligjore të Izraelit, Benyair tha se pushtimi i Bregut Perëndimor, Gazës dhe Kudsit Lindor nga Izraeli është një “dilemë themelore” gjatë dhe pas mandatit të tij.

– Një padrejtësi e madhe që duhet ndrequr urgjentisht

Benyair tha se hegjemonia e Izraelit mbi tokat palestineze është një padrejtësi e madhe që duhet korrigjuar menjëherë. “Për shkak të thellësive politike dhe morale në të cilat është zhytur, më duhet të përfundoj me keqardhje të madhe se vendi im është tani një regjim aparteid. Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar ta pranojë këtë fakt”, tha ai.

Duke theksuar se autoritetet izraelite e kanë “justifikuar” pushtimin që nga viti 1967 me pretendimin se ai ishte “i përkohshëm derisa të gjendet një zgjidhje paqësore”, Benyair theksoi se megjithëse kanë kaluar 50 vjet, Izraeli nuk ka ndërmend t’i japë fund këtij kontrolli.

– Me këtë politikë, palestinezët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre

Ish-prokurori i përgjithshëm potencon se pushtimi është një “realitet i përhershëm” dhe se është e pamundur të arrihet në ndonjë përfundim tjetër dhe konstatoi se “tregon realitetin e një shteti të vetëm ku dy popuj të ndryshëm jetojnë me të drejta të pabarabarta”.

Ai tërhoqi vëmendjen ndaj politikave diskriminuese të vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Duke shkelur ligjin ndërkombëtar, Izraeli transferoi më shumë se 650 mijë qytetarë hebrenj për të jetuar në vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor. Këto vendbanime janë ndërtuar në zonat përreth fshatrave palestineze. Janë ngritur qëllimisht duke i ndarë komunitetet palestineze nga njëra-tjetra, për të parandaluar mundësinë e një shteti të afërt palestinez. Ligjet diskriminuese të pronës në Kudsin Lindor po i detyrojnë palestinezët të lënë shtëpitë e tyre në një politikë të sponsorizuar nga shteti për të mbushur qytetin me hebrenj”, tha Benyair.

– Dhuna në vendbanime kundër palestinezëve

“Në Zonën C të Bregut Perëndimor, ligjet diskriminuese të planifikimit përdoren për të përzënë komunitetet palestineze nga toka e tyre. Këto komunitete përballen me një vërshim të dhunës së kolonëve nga stacione të paautorizuara (të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit) dhe autorët e dhunës përballen me pak ose aspak pasoja”, tha Benyair.

– Përpjekje për t’i rezistuar sistemit të aparteidit dhe atribuimit “terrorist” të Izraelit

Benyair nënvizoi se “çdo përpjekje e grupeve të shoqërisë civile palestineze për t’i rezistuar sistemit të aparteidit” mbikëqyret shumë nga Izraeli dhe “quhet në mënyrë të rreme terroriste”.

Sipas tij, qeveritë izraelite pohuan hapur se nuk kanë ndërmend të krijojnë një shtet palestinez. “Nuk mund të jesh një demokraci liberale nëse praktikon aparteidin mbi një popull tjetër. Kjo është një kontradiktë sepse e gjithë shoqëria izraelite është bashkëpunëtore në këtë të padrejtë realitet”, tha Benyair.

Ai foli edhe sa në lidhje me rolin që kishte në ndërtimin e vendbanimeve ilegale gjatë mandatit të tij. “Kabineti qeveritar izraelit miraton vendbanimet ilegale në territoret e pushtuara. Unë isha në rolin e prokurorit të përgjithshëm që miratova shpronësimin e tokave private palestineze për ndërtimin e infrastrukturës, siç është rrugë që lejon vendbanimet të zgjerohen”, thekson Benyair.

– Kualifikimi i “neverisë morale” për status quo-në në fushë

Duke e përshkruar status quo-në në terren si “një neveri morale”, Benyair shtoi se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të vonojë në marrjen e hapave kuptimplotë për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për regjimin e tij të aparteidit.

Benyair përsëriti theksin mbi “aparteidin” në artikullin e tij, duke thënë se “Midis lumit Jordan dhe Mesdheut është Izraeli ai që ka privuar përgjithmonë miliona palestinezë nga të drejtat e tyre civile dhe politike. Ky është aparteidi izraelit”.

– Raporti i “aparteidit” të Amnesty International

Në një konferencë për media të mbajtur në Kudsin Lindor të pushtuar më 1 shkurt, Amnesty International njoftoi raportin e saj të detajuar prej 280 faqesh të titulluar “Regjimi i Aparteidit të Izraelit: Diskriminimi racor kundër palestinezëve dhe krimet kundër njerëzimit”.

Në raportin e hulumtimit, i cili detajonte sistemin e shtypjes dhe dominimit që Izraeli ushtron kundër palestinezëve në të gjitha rajonet ku ai kontrollon të drejtat e palestinezëve thuhet se “krimi i aparteidit” ishte mjaft i gjerë për të përfshirë Izraelin dhe territoret e pushtuara palestineze si dhe palestinezët që u zhvendosën dhe u strehuan në vende të tjera.

Sistemi i aparteidit, sipas të drejtës ndërkombëtare, përkufizohet si një regjim i shtypjes dhe dominimit të institucionalizuar dhe sistematik nga një grup racor mbi një grup tjetër racor. I konsideruar si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, aparteidi konsiderohet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare publike. /aa