Izraeli bombardoi me raketa tokë-tokë një bazë ushtarake siriane në afërsi të kryeqytetit Damask.
Sulmi nuk është konfirmuar nga Tel Avivi, por, sipas mediave dhe autoriteteve siriane, raketat shkaktuan mjaft dëme, megjithëse dy prej tyre u shkatërruan në ajër. Sulmi u raportua edhe nga aktivistët e Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, që thanë se dëshmuan shpërthime të fuqishme në afërsi të Damaskut dhe se dyshohet që u shkaktuan nga raketat izraelite.
Shtrirja e vërtetë e dëmeve nuk është e qartë, por mediat siriane flasin vetëm për humbje materiale në bazën ushtarake. Aktivistët thonë se sulmi shkatërroi një depo të madhe armësh dhe nëse është vërtetë kështu, shkon në linjë me politikën e Izraelit, i cili e ka bërë edhe më herët këtë, për të mos lejuar dërgesat me armë nga Siria drejt grupit libanez Hezbollah.
Gadishmëria izraelite është rritur edhe më shumë në këtë kuadër pas raporteve të muajit të shkuar se Irani po ndërton një bazë të përhershme ushtarake në Siri, diçka që do të lehtësonte dërgesat më armë drejt Hezbollahut. Qeveria izraelite paralajmëroi se nuk do të lejojë kurrë transportimin e ngarkesave me armë për Hezbollahun në Liban dhe gjithashtu as ndërtimin e bazës iraniane në Siri, të cilën e sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit.