Një sulm ajror ka shkatërruar një ndërtesë në Gaza. Në të ishin zyrat e mediumeve ndërkombëtare, Associated Press dhe Al Jazeera. Agjencia prestigjioze e lajmeve e ka cilësuar sulmin si një përpjekje të fundit nga ushtria izraelite për të heshtur raportimin nga territori në një kohë konflikti me grupin “Hamas”.
Sulmi erdhi një orë pasi Ushtria urdhëroi njerëzit të evakuonin ndërtesën, që po ashtu kishte edhe zyra të tjera e apartamente të banuara.
Sulmi shembi të gjithë ndërtesën 12-katëshe, duke shkaktuar edhe tym të madh në hapësirën përreth. S’ka pasur shpjegim të menjëhershëm përse është sulmuar.
Kjo ngjau pak orë pas një tjetër sulmi izraelit në një kamp refugjatësh në Gaza, e ku vdiqën të paktën dhjetë palestinezë, kryesisht fëmijë, në një nga sulmet më të rënda në konfliktin aktual.
Gazetarët e “Al Jazeeras” përshkruajnë sulmin
Korrespondenti i “Al Jazeeras”, Safwat al-Kahlout, ka reaguar për sulmin në ndërtesën e mediumeve “Associated Press” dhe “Al Jazeera” në Gaza. Sipas tij, gjithçka u shemb për vetëm dy sekonda.
“Kam punuar këtu qe 11 vjet. Kam mbuluar ngjarje nga kjo ndërtesë, kemi kaluar përvoja profesionale dhe tash, gjithçka u zhduk për vetëm dy sekonda”, ka thënë ai. “Të gjithë kolegët e mi, përkundër mërzisë, nuk janë ndalur asnjë sekondë – do të përpiqen të gjejnë një alternativë për të mbajtur ‘Al Jazeeran’ në krye të lajmeve”.
“Ky është moment tejet personal për ne të gjithë. Ideja që ky vend nuk ekziston më është jashtëzakonisht e paimagjinueshme”, ka thënë Harry Fawcett nga “Al Jazeera”, që po raportonte nga Gaza për konfliktin mes Izraelit dhe grupit “Hamas”. /albuktv