Ushtria izraelite tha se ka bombarduar mbrëmë dhjetëra platforma raketore të Hezbollahut në pjesë të ndryshme të Libanit, duke pretenduar se “i përmbahet armëpushimit të arritur më 27 nëntor”, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore në pjesë të ndryshme të Libanit, duke synuar elementë të Hezbollahut, infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut dhe dhjetëra platforma raketore.
Më tej theksohet se avionët luftarakë bombarduan platformën e raketave në rajonin Bergez në jug të Libanit e cila thuhet se ishte përdorur për lëshimin e raketave ndaj Izraelit.
“Hedhja e raketave ndaj Izraelit u konsiderua si shkelje e marrëveshjes midis Izraelit dhe Libanit”, thuhet në deklaratë ku i bëhet thirrje Libanit “të zbatojë marrëveshjet dhe të parandalojë çdo aktivitet armik të Hezbollahut nga territori i tij”.
Gjithashtu thuhet se “Izraeli është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së arritur për armëpushimin në Liban”. Sipas deklaratës “ushtria do të mbetet e përgatitur për të vazhduar sulmet nëse është e nevojshme dhe do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur qytetarët izraelitë”.
Pavarësisht armëpushimit të arritur më 27 nëntor, ushtria izraelite kreu mbrëmë sulme ajrore në dy rajone në jug të Libanit, duke vrarë 9 persona dhe duke plagosur 3 të tjerë.