Izraeli arreston aktivisten palestineze që njoftoi për ngjarjet në lagjen Sheikh Jarrah

Muna al-Kurd

Forcat izraelite arrestuan aktivisten palestineze 23-vjeçaren Muna al-Kurd e cila luajti rol të rëndësishëm duke njoftuar botën lidhur me imponimin e migrimit të detyruar ndaj banorëve të lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor nën pushtim, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, mësohet se forcat izraelite kryen një bastisje në shtëpinë ku Muna jeton bashkë me familjen e saj në lagjen Sheikh Jarrah dhe se ajo është dërguar në një vend të panjohur.

Nabil al-Kurd, babai i Muna-s në një deklaratë për media tha se policia izraelite ka arrestuar vajzën e tij, Muna, dhe se aktualisht kërkohet edhe djali i tij Mohammed.

Ndërkohë nga autoritetet izraelite nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me arrestimin e aktivistes Muna.

Njoftonte për padrejtësitë në lagjen Sheikh Jarrah

Muna e cila në median sociale ka 1.2 milionë ndjekës, me postime përpiqej të njoftonte për të gjithë botën padrejtësitë e përjetuara në lagjen Sheikh Jarrah dhe përdorimin e forcës joproporcinonale nga policia izraelite kryesisht ndaj Palestinës.

Aktivistët palestinezë, përfshirë Muna dhe vëllain e saj Mohammed, për të njoftuar përjetimet në lagjen Sheikh Jarrah filluan në Twitter një fushatë me hashtagun #SaveSheikhJarrah. Ky hashtag hyri në axhendën e botës brenda një kohe të shkurtër. Policia izraelite duke arrestuar Muna-n dhe vëllain e saj Mohammed synon të ulë zërin e lagjes Sheikh Jarrah.

Gjykatat izraelite refuzuan kundërshtimet e familjeve palestineze

Frika dhe shqetësimet e 27 familjeve palestineze të cilat për shumë vite kanë jetuar me frikën e rrezikut për t’u zhvendosur nga lagjja Sheikh Jarrah, fituan një dimension të ri me presionet e autoriteteve izraelite.

Gjykata e Kudsit në vitin 2019 nisur nga një kërkesë e kolonëve hebrenj vendosi që 12 familjet palestineze që banonin në Sheikh Jarrah të evakuonin shtëpitë e tyre në favor të kolonëve. Sipas vendimit, 4 prej këtyre familjeve duhej të evakuonin shtëpitë e tyre deri në janar 2021.

Pas kundërshtimit të familjeve ky vendim u apelua dhe u vendos rifillimi i procesit gjyqësor por Gjykata Qendrore izraelite kah mesi i muajit shkurt refuzoi kundërshtimin e këtyre 4 familjeve.

Gjykata Qendrore izraelite në fillim të këtij viti vendosi që 7 familje duhet të evakuonin shtëpitë e tyre për t‘ua lënë kolonëve hebrenj.

Së fundmi më 4 mars gjykata refuzoi kundërshtimet e familjeve palestineze që jetonin në lagjen Sheikh Jarrah kundër vendimit. Gjykata e Lartë me 2 maj i njohu afat deri më 6 maj 4 familjeve në Sheikh Jarrah që të “dakordoheshin” me kolonët hebrenj.

Gjykata e Lartë izraelite në seancën e mbajtur më 9 maj shtyri vendimin përfundimtar për në muajin qershor. /aa