Izraeli arrestoi 17 palestinezë, çrrënjos pemët e ullirit në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite sot kanë arrestuar 17 palestinezë gjatë bastisjeve në gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa buldozerët ushtarakë shkatërruan dhjetëra pemë ulliri në territorin e pushtuar, bëri të ditur një OJQ palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shoqata Palestineze e Burgosurve në një deklaratë tha se 11 palestinezë u arrestuan në Kuds, dy në Ramallah, dy në Betlehem dhe dy në El-Halil (Hebron).

Ndërkohë, buldozerët izraelitë shkatërruan 50 dynymë (12,3 hektarë) tokë bujqësore, duke përfshirë pemë ulliri, në fshatin Suba, në perëndim të qytetit El-Halil, bëri të ditur Ahmed Barbosh, djali i pronarit të tokës.

Të hënën, autoritetet izraelite u dorëzuan urdhra 12 palestinezëve për prishjen e strukturave të tyre, përfshirë shtëpitë dhe çadrat, në fshatin Khirbet Zanuts, në jug të El-Halilit.

Një studiues në grupin izraelit të të drejtave të njeriut B’Tselem tha se urdhrat e rrënimit do të zhvendosin rreth 300 palestinezë në zonë.

Ligji ndërkombëtar i konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të okupuara dhe i cilëson si të paligjshme të gjitha veprimtaritë e ndërtimit të vendbanimeve hebreje.