Liderët e dy partive opozitare në Izrael kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund mandatit të Benjamin Netanyahu-t si kryeministër, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Netanyahu duhet të shkojë”, tha Merav Michaeli, kreu i partisë laburiste në deklaratat e cituara nga gazeta izraelite ‘Maariv’, duke e përshkruar Netanyahu-n si “një rrezik për Izraelin”.
Ndërsa kreu i partisë së krahut të djathtë “Shpresa e Re”, Gideon Saar, për Korporatën Publike Izraelite të Transmetimit (IPBC) tha se shteti izraelit “nuk ka nevojë për vazhdimin e sundimit të Netanyahu-t, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore”.
Saar theksoi se partia e tij “nuk do të bashkohet me një qeveri të kryesuar nga Netanyahu”, si dhe shtoi se ai tashmë refuzoi një ofertë për të marrë pjesë në koalicionin qeverisës nga partia “Likud”, e udhëhequr nga Netanyahu.
Netanyahu është kryeministër që nga viti 2009.
Kampi i Netanyahu-t, i përbërë nga partia “Likud” dhe partitë aleate të krahut të djathtë, në zgjedhjet e muajit mars fitoi 52 vende në parlamentin izraelit, duke mos arritur të sigurojë 61 vende të nevojshme për të formuar një qeveri.
Netanyahu po përballet me akuza serioze të korrupsionit dhe shumë analistë parashikojnë fundin e karrierës së tij politike nëse dënohet. /aa