Ironia është se kur para 75 viteve oferta ndërkombëtare ishte për dy shtete (Izrael + Palestinë) ishin izraelitët ata që pranonin dhe palestinezët ata që refuzonin. Ndërkohë, realiteti në terren ndryshoi aq shumë, sa tani të njëjtën ofertë palestinezët po e pranojnë, ndërsa izraelitet po e refuzojnë.
Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Rreth problemit Izrael-Palestinë ka aq ironi e cinizëm, sa nuk mund të shprehet me fjalë.
“Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete. Do të thotë, një përpjekje e përqendruar e të gjitha palëve – izraelitëve, palestinezëve, partnerëve rajonalë, liderëve globalë, për të na vënë në rrugë drejt paqes”, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.
“Sado e rëndë të jetë, ne duhet ta shtrojmë pyetjen e vështirë: si mund ta ringjallim perspektivën afatgjate për një zgjidhje me dy shtete, për normalizim dhe qëndrueshmëri rajonale? Kjo është pikërisht ajo që Hamasi është përpjekur ta vrasë.”, ka thënë kryeministri britanik, Rishi Sunak, i cili e ka përmendur po ashtu opsionin e zgjidhjes me dy shtete edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, edhe gjatë një fjalimi para ligjvënësve britanikë.
Në këtë vazhdë është edhe qëndrimi i Këshillit Europian për paqe të qëndrueshme të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
“Ne theksojmë nevojën për t’u angazhuar gjerësisht me autoritetet legjitime palestineze, si dhe me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.”, ka thënë përmes një deklarate Këshilli Europian.
Zgjidhja me dy shtete është qëndrim zyrtar edhe i Kombeve të Bashkuara, e madje edhe vetë Izraelit. Shtet të pavarur palestinez, të krijuar përkrah shtetit ekzistues të Izraelit!. E mundur kjo? Por cilët do të ishin kufijtë e shtetit të ri?
Territoret që i kishte nën kontroll në periudhën 1948-1967 Izraeli i ka integruar në shtetin e vet plotësisht. Brenda këtij territori kanë ngelur 20 për qind palestinezë, të cilët i gëzojnë të drejtat e minoritetit brenda shtetit izraelit dhe ia japin atij pamjen e një demokracie perëndimore.
Problemi paraqitet me territoret e pushtuara gjatë Luftës 6-ditëshe, më 1967, ku Izraeli e pushtoi Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Por, që atëherë, Izraeli ka ndërtuar vazhdimisht vendbanime të reja brenda Bregut Perëndimor dhe tani janë rreth 600.000 izraelitë që jetojnë atje dhe në Jerusalemin e pushtuar Lindor. Me ligjin ndërkombëtar, këto vendbanime konsiderohen të paligjshme.
Krijimi i Izraelit dhe lufta e mëvonshme arabe-izraelite e vitit 1948 kanë bërë që shumë palestinezë të dëbohen nga shtëpitë e tyre. Rreth 750.000 palestinezëve OKB-ja ua ka dhënë statusin e refugjatit, duke i përcaktuar si: “Njerëz, vendbanimi normal i të cilëve ka qenë Palestina, gjatë periudhës 1 qershor 1946 – 15 maj 1948, por që i kanë humbur shtëpitë dhe mjetet e jetesës si rezultat i konfliktit të vitit 1948”.
Sipas kritereve të njëjta tani kualifikohen rreth 5.9 milionë palestinezë, që jetojnë në Bregun Perëndimor, në Gazë, në Jerusalemin Lindor dhe në kampe në Jordani, Liban dhe Siri, dhe që duan të kthehen në tokat e humbura gjatë luftës së ’48-ës.
Por, problemi më i madh është gjithsesi Jerusalemi, sepse palestinezët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm, i cili është aneksuar nga Izraeli.
Qëndrim zyrtar i Izraelit është zgjidhja me dy shtete, por me kusht që pala palestineze të çmilitarizohet, pasi Hamasin dhe grupet e tjera militante i sheh si kërcënim ekzistencial.
Presidenti Palestinez, që qeveris Bregun Perëndimor, e mbështet zgjidhjen e tillë, ndërsa Hamasi. që kontrollon Gazën, është i zotuar për shkatërrimin e Izraelit.
Një pakicë sinjifikante e izraelitëve besojnë se “mund të gjendet një mënyrë që Izraeli dhe një shtet i pavarur palestinez të bashkëjetojnë në paqe”. Një pakicë akoma më e vogël e palestinezëve, që jetojnë në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në Jerusalemin Lindor, e mbështesin zgjidhjen me dy shtete.
Pikërisht qeveria izraelite është pengesa më e madhe për një zgjidhje me dy shtete Ajo dëshiron saktësisht të kundërtën e zgjidhjes me dy shtete: mbajtjen nën kontroll të përhershëm të gjithë tokës midis lumit Jordan dhe detit Mesdhe.
Mbi 5 milionë palestinezë janë pa shtet dhe pa shtetësi. Izraeli, me dekada, e ka ndjekur politikën “përçaj e sundo” kundrejt tyre, çfarë edhe ka çuar në krijimin e Hamasit. Zgjidhja me dy shtete do të shkonte edhe në favor të sigurisë së Izraelit.
Mënyra e vetme për Izraelin që të shmangë një tjetër 7 tetor ose më shumë gjakderdhje është t’i kthehet zgjidhjes me dy shtete dhe ta pranojë përfundimisht të drejtën e palestinezëve për shtetësi, të cilën nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht.
Shpresat për zgjidhjen me dy shtete janë rritur në vitin 1993, kur SHBA-ja, nën presidentin Bill Clinton, ka ndërmjetësuar nënshkrimin e Marrëveshjeve të Oslos, në bazë të së cilës Izraeli e ka njohur zyrtarisht Organizatën për Çlirimin e Palestinës si përfaqësuese të palestinezëve, ndërsa OÇP-ja ka hequr dorë nga dhuna dhe e ka njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar paqësisht. Dy palët, po ashtu, janë dakorduar që palestinezët t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse në Bregun Perëndimor dhe në Gazë. Por, që atëherë, gjërat kanë shkuar në drejtimin jo të duhur.
Janë shtuar vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, SHBA-ja e ka zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem, si dhe sulmi i fundit i Hamasit në Izrael dhe tashmë lufta e tmerrshme në vijim me përmasa gjenocidi.
Ironia është se kur para 75 viteve oferta ndërkombëtare ishte për dy shtete (Izrael + Palestinë) ishin izraelitët ata që pranonin dhe palestinezët ata që refuzonin. Ndërkohë, realiteti në terren ndryshoi aq shumë, sa tani të njëjtën ofertë palestinezët po e pranojnë, ndërsa izraelitet po e refuzojnë. Deri kur do të vazhdojë ky cikël? /revistashenja