Izrael, humb jetën fëmija palestinez i plagosur nga ushtarët izraelitë

Një djalë 12-vjeçar palestinez, i plagosur me plumba të vërtetë në bastisjen e kryer nga ushtarët izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin muajin e kaluar, sot humbi jetën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë e Palestinës, 12-vjeçari Mahmoud Mohammad Khalil Sumudi, i cili u qëllua në bark me plumba të vërtetë gjatë bastisjes nga ushtarët izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor më 28 shtator, ndërroi jetë në spitalin ku po trajtohej.

Ushtria e Izraelit bastisi kampin e refugjatëve në Jenin më 28 shtator, ku u vranë 4 palestinezë dhe 43 tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët.

Qeveria e Tel Avivit ka kryer bastisje të shpeshta në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si pjesë e operacionit të quajtur “Valëpritësi”, të cilin e filloi në mars. Në këto bastisje thuhet se deri më tani kanë humbur jetën mbi 100 palestinezë, mes tyre edhe fëmijë.

Rritja e viktimave në bastisjet e fundit të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor shkakton reagime në rrugët e Palestinës.

 

Dëshmori Mahmoud Mohammad Khalil Sumudi