Izrael, dorëhiqen shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti për Gazën

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Izraelit, Herzi Halevi, njoftoi dorëheqjen e tij nga detyra e cila do të hyjë në fuqi më 6 mars, duke deklaruar se ai “e ka ndierë çdo ditë përgjegjësinë për dështimin katastrofik” në sulmet nga Gaza më 7 tetor 2023.

Sipas lajmeve në median izraelite, Halevi ia dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Halevi ka deklaruar se “ushtria izraelite nën komandën e tij nuk ka mundur të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur qytetarët” gjatë sulmit të kryer nga Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, nga Gaza më 7 tetor 2023 dhe se “përgjegjësinë për këtë dështim katastrofik e ka ndjerë çdo ditë që nga dita e parë”.

Duke e mbrojtur idenë se ushtria izraelite me sulmet e sa që kanë vazhduar për një vit e tre muaj i ka dhënë “goditje të rënda krahut të armatosur të Hamasit, e ka zmbrapsur Hezbollahun në veri në një mënyrë të paparë deri më sot dhe ka dobësuar Iranin dhe aktivitetet e tij rajonale”, Halevi tha se kanë arritur suksese të tilla si “vendosja e ushtrisë në lartësitë e pushtuara të Golanit, eliminimin i aftësive të ushtrisë së Sirisë dhe rritje të aktiviteteve në Bregun Perëndimor të pushtuar”.

Në anën tjetër, komandanti i Frontit Jugor të Ushtrisë izraelite, përgjegjës për Gazën dhe rrethinat e saj, gjeneralmajor Yaron Finkelman, njoftoi se kishte dorëzuar dorëheqjen, duke deklaruar se nuk kishte arritur të mbronte qytetarët që jetonin përreth Gazës.

Finkelman tha se ai do t’i vazhdojë përgjegjësitë e tij brenda ushtrisë derisa t’ia dorëzojë detyrën paraardhësit të tij të ardhshëm.

Ishte zbuluar se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi, kishte mospajtime me kryeministrin Netanyahu dhe qeverinë në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe rajonit më 7 tetor 2023. Në Izrael, partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut kanë bërë deklarata që e shënjestrojnë drejtpërdrejt Halevin.