Ballina Lajmet Izrael, demonstrantët kërkojnë përshpejtimin e hetimit kundër Netanyahut

Izrael, demonstrantët kërkojnë përshpejtimin e hetimit kundër Netanyahut

Disa qindra izraelitë protestuan me kërkesë që të përshpejtohet hetimi që po zhvillohet ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, mbi pretendimet për involvimin e tij në punë korruptive, raporton Anadolu Agency (AA).

Demonstrantët mbrëmë u mblodhën para shtëpisë së prokurorit shtetëror izraelit Avichi Mendelblit në qytetin Petah Tikva, ndërsa nga masat e forcuara të sigurisë nuk u regjistruan incidente të mëdha.

Të tubuarit, përfshirë edhe përfaqësues të Bllokut Cionist opozitar, kërkojnë që të përshpejtohet hetimi dhe të ngritet aktakuzë kundër kryeministrit Netanyahu.

Duke iu referuar burimeve të paemëruara. Radioja shtetërore e Izraelit lajmëron se prokuroria ka ardhur deri te dëshmitë e forta se Netanyahu i ka dhënë ryshfet kreut të një shtëpie mediale që të japë për të lajme pozitive.

Prokurori Mendelblit për televizionin “Kanal 10” tha se gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të përfundojë hetimi për keqpërdorimin e pozitës dhe shpenzimin e mjeteve publike për qëllime personale të kryeministrit Netanyahu dhe bashkëshortes së tij Sara Netanyahu.

Kundër Netanyahu udhëhiqen disa hetime për korrupsion dhe ryshfet të pretenduar, ndërsa ai muajin e kaluar dha rrëfimin para prokurorisë. Gjithnjë e më të zëshme janë zërat e opozitës e cila kërkon që kryeministri të jep dorëheqje.

Exit mobile version