Izolimi, që nuk duhet të quhet kështu

Evropa synon t’i ndalojë afrikanët të arratisen përmes Mesdheut – u konkludua në takimin e nivelit të lartë në Paris.

Por a është në gjendje Evropa ta bëjë këtë? Ekspertë dhe politikanë të opozitës shprehin kritika.

Një zgjidhje afatgjatë të krizës migratore pret kancelarja Angela Merkel pas takimit të nivelit të lartë të Parisit me përfaqësues të disa shteteve evropiane dhe afrikane.

Ajo e quan edhe sot të drejtë qëndrimin e para dy vjetëve, kur i mbajti hapur gjatë kufijtë e vendit për refugjatët, kështu deklaroi të martën në Berlin. “Por me të njëjtën mendësi” janë marrë edhe rezultatet e Parisit.

Në to propozohet që azilkërkuesit të verifikohen që në qendrat e migracionit të UNHCR në Çad dhe në Nigeri për shanset që kanë që të marrin azil në Evropë.

Ai që vjen në konsideratë për këtë, për të duhet të ekzistojë një rrugë legale dhe direkte në Evropë. Të gjithë të tjerët duhet të kthehen pas në atdhe.

Çadi dhe Nigeria do t’i mbyllin me para evropiane kufijtë e tyre me Libinë dhe do ta bllokojnë në këtë mënyrë rrugën për në Mesdhe. Synimi i masave është që “të ndalohet migrimi ilegal”.

Organizata Pro Asyl sheh këtu “një hedhje hi syve dhe mashtrim të publikut”, sepse “në kampe arresti në kushte nën dinjitetin e njeriut nuk mund të ketë procedura korrekte azili”, mendon drejtuesi ekzekutiv Günter Burkhardt.

Shefja e partisë E Majta, Katja Kipping kritikon: “Ky takim i nivelit të lartë nuk shërbeu për të gjetur zgjidhje reale për kushte më të mira jetese në shtetet e Magrebit ose të Afrikës”, kritikoi ajo, në vend të kësaj vetëm “duhet të izolohet bota e parë nga bota e tretë”.

Varet nga perspektiva

Eksperti për Afrikën i Institutit GIGA të Hamburgut për Studime Globale dhe Rajonale e sheh çështjen në mënyrë më të diferencuar.

Në radion Deutschlandfunk ai thotë se me takimin e nivelit të lartë “piketat vihen si duhen”, edhe nëse masat janë tepër të pamjaftueshme. Megjithatë nuk duhet të krijohen iluzione.

Ata që dëbohen “nuk do të shkojnë në shtëpinë e tyre, sepse gjendja atje është e padurueshme”. Prandaj, sipas tij nuk duhen bërë negociata vetëm me Çadin, Nigerinë dhe Libinë, por “duhet shkuar edhe në vendet, prej ku vijnë njerëzit”.

Për mënjanimin e shkaqeve të migrimit, Kappel thotë: “Nuk mund të qendrojë që ne të paraqesim idetë tona, që të vëmë në dispozicion për to para kur shtetet afrikane nuk ndërmarrin asnjë hap për ta përmirësuar gjendjen ekonomike”.

Kthesa 150 gradë e Merkelit

Që politika e Berlinit për çështjen e migracionit ka ndryshuar rrënjësisht brenda dy vitesh, këtë e ka konstatuar edhe politologu i Dresdenit, Werner Patzelt.

Në intervistë me DW ai tha se CDU “e ka ndryshuar politikën e saj ndaj migrantëve të paktën 150 gradë, por nuk deklarohet hapur për gabimet e mëparshme dhe për korrigjimin e mëvonshëm të tyre”.

Tek mbyllja e itinerarit ballkanik për refugjatët mund të shihet se “shumë gjëra që më parë janë refuzuar rreptësisht mund të kthehen për tri, katër vjet në politikë konvencionale dhe në realitet të vetëkuptueshëm”./Mesazhi/