Ballina Ekonomi Izolimi i shtëpisë – luten qytetarët që të përfitojnë nga subvencionimi pasi...

Izolimi i shtëpisë – luten qytetarët që të përfitojnë nga subvencionimi pasi edhe pak ditë kanë mbetur deri në përmbyllje

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë sot ka njoftuar qytetarët se buxheti prej 10 milionë euro, i destinuar për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, tashmë është drejt përfundimit.

Sipas një njoftimi për media kërkohet nga qytetarët që të përfitojnë nga subvencionimi prej 45 për qind për izolimin e shtëpisë së tyre.

“Me këtë rast, luten të gjithë të interesuarit për të përfituar nga subvencionimi prej 45 për qind (5 për qind bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5,500 euro, të shfrytëzojnë edhe pak ditë të mbetura deri në përmbyllje.

Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë.

Ndërkaq, ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ndryshe, Ministria e Ekonomisë (ME) dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) të martën kanë lansuar thirrjen publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

Projekti ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.

Çfarë përfshin projekti?

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.

Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe kap vlerën 10 milionë Euro.

Exit mobile version