Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, pas takimeve të ndara me udhëheqësit e partive politike në vend, ku diskutuan mbi situatën aktuale të krijuar pas mosarritjes së formimit të qeverisë së re nga lideri i VMRO-DPMNE-së, bëri të ditur se qëllimi i takimeve ishte që t’i ndajë qëndrimet e tij dhe t’i dëgjojë qëndrimet e partive politike, siç tha ai, “jo vetëm për prioritetet dhe interesat shtetërore, por edhe për dalje nga kriza politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia politike ose koalicioni që do të më dëshmojë se ka siguruar shumicën në Kuvend. Me fjalë të tjera, së pari vërtetim dhe dëshmi për shumicën, më pas mandatin për formimin e qeverisë së re, në përputhje me Nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, deklaroi presidenti Ivanov.
Presidenti Ivanov në vijim theksoi se Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë thotë se, “Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar në afat prej 10 ditësh nga përbërja e Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend”.
Ivanov përmendi edhe faktin se vendi tani më dy vite e gjysëm është i përfshirë në një krizë të thellë poltike, duke shtuar se, “U mbajtën edhe zgjedhjet e shumëpritura për të cilat shpresojmë se do të ndihmojnë të dalim nga kjo situatë. Mirëpo, në vend që të fillojë zgjidhja e krizës, e njëjta u thellua edhe më shumë”.
Në fund të fjalës presidenti Ivanov tha: “Gjatë kohës së konsultimeve u diskutuan të gjitha mundësitë në rast se askush nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend. Të gjitha opsionet mbeten të hapura”.
Ai porositi se ata që do të formojnë qeverinë e re, në programin e tyre së paku të kenë dy prioritete kryesore, të mbrojnë intereset shtetërore që do të thotë të mbrojnë karakterin unitar të shtetit, si dhe reforma sistematike pas krizës në të cilën do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare të Maqedonisë.
Kujtojmë se konsultimet e presidentit Ivanov me partitë parlamentare vijojnë pas takimeve që zhvilloi kreu i shtetit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski të martën dhe më herët edhe me Euroambasadorin, Samuell Zhbogar.
Afati i paraparë ligjor për formimin e qeverisë skadoi më 29 janar, pasi paraprakisht Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, respektivisht partisë e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit fitoi më shumë deputetë.