Italianët do të shfuqizojnë VAR-in nëse sezoni vazhdon

Italia ka qenë pika më e nxehtë e COVID-19 në Evropë, me mbi 15 mijë persona që kanë humbur jetën.

Edhe në këtë vend, futbolli është ndërprerë prej kohësh, me ndeshjen e fundit të zhvilluar sot një muaj, 8 mars, mes Juventusit dhe Interit.

Ka disa versione që po përfliten për vazhdimin e tij, sigurisht nëse do të krijohen kushtet, në dakordim me institucionet e sigurisë dhe UEFA-s.

Sot drejtuesit e Serie A kanë debatuar për idenë se kur duhet të fillojë sezoni, dhe është propozuar se kurdo që ai fillon, të mos përdorët VAR.

Marcello Nicchi, kreu i gjyqtarëve italianë, ka deklaruar se u ka bërë presion drejtueseve të ligës, që t’i jepet fund përdorimit të VAR këtë sezon, natyrisht nëse ai luhet.

Sipas Nicchi, dhomat e VAR janë të vogla me numër të madh njerëzish, pastaj udhëtimet e tyre nëpër vendet e ndryshme, nuk do të ofronin siguri.