Ballina Sport Futboll Italia nuk i frikësohet Kroacisë para ndeshjes vendimtare

Italia nuk i frikësohet Kroacisë para ndeshjes vendimtare

Përfaqësueses së drejtuar nga Luciano Spalletti, Italisë, i duhet vetëm që ta shmangë disfatën nga gjysmëfinalistja e Kupës së Botës 2022, Kroacia, për ta siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe për të arritur në 1/8 e finales.

Kroacisë do t’i duhet fitorja në Leipzig për të shpresuar në avancimin në fazën nokaut të “Euro 2024”.

Ndeshja ndërmjet Kroacisë dhe Italisë luhet të hënën nga ora 21:00.

“Nuk duhet të kesh frikë në futboll, duhet të frikësohesh kur diagnostikohesh me ndonjë sëmundje, por jo në futboll”, ka thënë qendërmbrojtësi Alessandro Bastoni të dielën në konferencën për shtyp.

Italia mund të eliminohet nga turneu në fazën grupore për herën e parë që prej vitit 2004, nëse mposhtet dhe nëse Shqipëria fiton ndaj Spanjës në ndeshjen tjetër të Grupit B.

Selektori Spalletti ka thënë se do të bëjë ndryshime në 11-shen startuese, e cila nuk shfaqi thuajse asgjë në ndeshjen e kaluar. Italianët kanë skuadër me më pak eksperiencë sesa kur triumfuan në “Euro 2020”. Vetëm gjashtë nga 17 lojtarët që luajtën në triumfin ndaj Anglisë para tre vjetësh janë në turneun në Gjermani.

“Ne duhet ta rrisim ritmin e lojës dhe të dimë se kur të jemi të qetë e ta kontrollojmë topin. Kam bërë gabim që nuk kam bërë ndryshime. Kësaj radhe po mendoj se duhet t’i bëj disa ndryshime”, është shprehur tekniku italian.

Te Përfaqësuesja italiane për duelin ndaj Kroacisë mund të mungojë Federico Dimarco, i cili ka lëndim në pulpën e këmbës së djathtë, të pësuar në humbjen nga Spanja.

Ndërkohë, Kroacia do të jetë pa mesfushorin Nikola Vlashiq. Selektori Zlatko Daliq ka thënë të dielën se edhe veterani Domagoj Vida do të mungojë për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës.

“Në Katar në vitin 2022 në Kupën e Botës pranuam vetëm një gol në fazën grupore, ndërsa tani i kemi pranuar pesë në dy ndeshje. Ndaj Italisë është ndeshje që duhet fituar. Çdo rezultat tjetër do të na dërgonte në shtëpi. Dhe ne nuk duam të kthehemi në shtëpi kaq herët”, theksoi Daliq.

Ndërkohë, mesfushori Mario Pashaliq tha se i njeh trajnerin e Italisë dhe lojtarët e saj.

“Do të jetë ndeshje e fortë, por besoj se do të dalim fitimtar”, është shprehur mesfushori kroat.

Italia në duelet kundër Kroacisë ka bilanc negativ. E ka fituar vetëm një nga nëntë ballafaqimet. Kroacia i ka fituar tri ndeshje, ndërsa pesë herë përfaqësueset janë ndarë baras. Tri ndeshjet e fundit përfunduan 1:1.

Fitorja e vetme e Italisë ndaj Kroacisë ishte në miqësoren e zhvilluar në Genoa në vitin 1942.

Exit mobile version