Italia i dhuron Shqipërisë një anije ushtarake

Anija patrulluese “Libra” i është dhuruar Forcës Detare Shqiptare nga autoritetet italiane, transmeton Anadolu.

Ndërkohë, sot është nënshkruar edhe marrëveshja e mirëkuptimit mes shoqërisë italiane “Fincantieri” dhe shoqërisë shqiptare shtetërore “KAYO”, e cila sipas autoriteteve shqiptare shënon nisjen e bashkëpunimit për sipërmarrjen e përbashkët në industrinë ushtarake navale.

Kryeministri Rama në ceremoninë e organizuar në Portin e Durrësit me rastin e marrëveshjes dhe dhurimit të anijes tha se ky akt është dëshmi e miqësisë dhe bashkëpunimit mes vendeve, i cili sipas tij po hyn në një epokë të re.

“Marrëdhënia me Italinë mike përmes këtij bashkëpunimi bëhet akoma edhe më e rëndësishme, akoma edhe më strategjike dhe më e lidhur me interesat e përbashkëta të të dy vendeve, të dy kombeve tona. Sigurisht kjo anije, është një dëshmi shumë e dukshme dhe e prekshme e gjithë asaj që po bëjmë bashkërisht. Ajo që po bëjmë së bashku, është shumë më tepër se sa kjo anije dhe është shumë më tepër sesa aspekti material, sepse po punojmë vërtetë për të krijuar një sinergji të rëndësishme ndërmjet këtyre dy anëve të Adriatikut”, tha Rama.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, nga ana e tij, tha se dhurimi i anijes “Libra” do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve luftarake të Forcës Detare Shqiptare.

“Dhurimi i anijes Libra është një simbol i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të thella që ekzistojnë ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë. Ky akt thekson angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen dhe për forcimin e partneritetit tonë në fushën e mbrojtjes”, tha Vengu.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se ky moment i sotëm është i rëndësishëm për të dy palët, pasi sipas tij është dëshmi konkrete e miqësisë së Italisë ndaj Shqipërisë.

“Dhurimi i anijes Libra nuk përbën thjesht një pikë mbërritjeje, por përbën një pikë nisjeje të bashkëpunimit të mëtejshëm të shkëlqyer që ekziston tashmë mes dy vendeve tona”, tha Crosetto.

Sipas autoriteteve shqiptare, Forca Detare e Shqipërisë, me anijen “Libra”, do të jetë e mundur që të kontribuojë më shumë në operacionet rajonale të sigurisë detare.

Ndërkohë, marrëveshja synon zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri, duke përfshirë ndërtimin e anijeve luftarake dhe civile, si dhe forcimin e kapaciteteve të prodhimit në bazën detare të Pashalimanit.

Gjithashtu në Portin e Durrësit është ankoruar edhe anija historike italiane “Amerigo Vespucci”, që sipas autoriteteve shqiptare është e cilësuar edhe si anija më e bukur në botë.