Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj dhe homologu i tij italian, Marco Minniti nënshkruan, ditën e djeshme në Tiranë, protokollin “Mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër terrorizmit dhe trafikimit të qenieve njerëzore”.
Firmosja e këtij protokolli erdhi pas konferencës në Pallatin e Kongreseve ku u prezantua raporti i Guardia di Finanza për luftën kundër kanabisit që ka bërë vendi ynë gjatë këtij viti. Kjo marrëveshje shërben si një konfirmim për vullnetin e përbashkët që dy vendet shprehën për të zhvilluar nisma dypalëshe. Me anë të këtyre nismave, synohet që të përmirësohet siguria e brendshme e Shqipërisë dhe fqinjëve tanë italianë, forcimi i bashkëpunimit policor, parandalimi i terrorizmit kombëtar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimeve të lidhura me të.
Në momentin e nënshkrimit, të dy ministrat e vunë theksin te bashkëpunimi operacional, i cili bazohet në shkëmbimin e informacioni dhe përvojën në fushën e trajnimit. Mbi bazën e Protokollit, policia shqiptare dhe ajo italiane do të shkëmbejnë informacione dhe do të kryejnë operacione të përbashkëta me qëllime parandaluese, për të identifikuar subjektet e dyshuara për kryerjen e aktiviteteve kriminale.
Gjatë vizitës zyrtare që Minniti bëri në kryeqytet, zhvilloi takime me Xhafajn, kreun e PD, Lulzim Basha dhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Në të gjitha takimet e zhvilluara, ministri italian i mëshoi faktit se qeveria shqiptare duhet të godas të paprekshmit, trafikantët dhe të gjithë organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Po ashtu, vlen të theksohet se raporti i autoriteteve italiane kishte shifra mjaft optimiste për luftën kundër drogës, pasi rreth 96% e parcelave me kanabis janë shkatërruar.