Numri i viktimave në tërmetin e djeshëm shkatërrues që goditi pjesën qendrore të Italisë, është rritur në 247 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e reja për numrin e viktimave i publikoi Agjencia për mbrojtje civile, 27 orë pas tërmetit me fuqi prej 6.2 ballë sipas shkallës së Rihterit. Më rëndë janë goditur rajonet Lacio, Marka, Umbria dhe Abruc ku ekipet e shpëtimit ditë e natë kërkojnë njerëz që kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja.
Deri tani viktima më e re është e moshës 18 muajshe.
Pas tërmetit shkatërrues, dje në Itali ka pasur edhe njëqind tërmete me intensitet më të vogël.
Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) sot herët në mëngjes rreth orës 5:00 regjistroi tërmet me fuqi prej 4.5 ballë, po ashtu në pjesën qendrore të Italisë.