Itali/ Kulmi i epidemisë: I afërt

Pas katër ditësh radhazi, numri i të prekurve nga koronavirusi është kthyer sërish në rritje.

Por sidoqoftë, shpejtësia e përhapjes së virusit është në rënie. Aktualisht, janë raportuar 62 013 të infektuar në Itali, me një rritje prej 4492 rastesh të reja duke e çuar totalin e të prekurve, përfshirë viktimat dhe të shëruarit, në mbi 80 mijë.

Numri i viktimave sipas të dhënave të fundit ka shkuar në 8215, 712 më shumë në krahasim me të mërkurën. Sipas ekspertëve, tashmë është i afërt kulmi i epidemisë së koronavirusit në Itali. Por rritja e 24 orëve të shkuara, vjen sipas tyre për shkak të shtimit të numrit të testeve të bëra.

Në qytetet italiane ndërkohë karabinierët janë të vetmit në rrugë. Në romë, ata po përdorin edhe dronët në kërkim të qytetarëve që pavarësisht masave anti-koronavirus, dalin nga shtëpia pa motive të vlefshme.

Mes viktimave të fundit në Itali, janë edhe dy mjekë, duke e çuar numrin total e bluzave të bardha që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, në 43. Por, rastet e reja janë rikthyer në atë që dikur ishte zonë e kuqe, Codogno, nga ku edhe shpërtheu koronavirusi i ri në Itali. Zyrtarë lokalë dhe banorë lokalë fajësojnë rihapjen e menjëhershme të ish zonës së mbrojtur të Codognos.

Lokaliteti ishte epiqendra e fazës së parë të pandemisë, dhe në ditët e shkuara pati edhe mungesë rastesh të reja. Por përqindja, në orët e fundit, ishte rritur sërish. Kryebashkiaku lokal raportoi për gjashtë raste të reja me Covid 19.

Tani ekziston edhe frika se virusi mund të pushtojë edhe jugun e vendit, më i varfër se pjesa tjetër, dhe shërbimi mjekësor atje nuk do të mund ta përballonte një situatë të tillë./tch