Në Itali filluan sesionet e ditës së dytë për Samitin e Liderëve të G7-tës, i cili mbledh së bashku shtatë ekonomitë më të mëdha të industrializuara në botë, raporton Anadolu.
Në ditën e dytë, liderët trajtuan fillimisht mes tyre çështjen e migrimit të parregullt, në Samitin e 50-të të Liderëve të Vendeve të G7-tës që përbëhet nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Japonia, Franca, Kanadaja dhe Italia dhe i cili mbahet në qytezën turistike Borgo Egnazia të Italisë me pjesëmarrjen e liderëve të Bashkimit Evropian (BE).
Liderët e G7-tës do të marrin pjesë më pas në “Sesionin e nivelit të lartë G7 për Afrikën dhe Mesdheun, inteligjencën artificiale dhe energjinë” në të cilën është i ftuar edhe presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Në sesionin në fjalë pritet të mbajnë fjalim presidenti Erdoğan si dhe lideri shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku ndërsa parashikohet që liderët të dalin në foto familjare pas takimeve dypalëshe mes njëri-tjetrit pas sesionit.
Dita e dytë e samitit do të përfundojë me darkën që kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do të organizojë në nder të liderëve.
Presidenti amerikan, Joe Biden pas sesionit të sotëm do të largohet nga samiti dhe do të kthehet në vendin e tij. Me arsyen se ishte i lodhur, Biden nuk mori pjesë në darkën e organizuar mbrëmë nga presidenti italian, Sergio Mattarella në nder të liderëve të G7-tës.