Ballina Autorë Opinione Israilitë dhe filistinë

Israilitë dhe filistinë

Ismail SINANI

Nuk ka truall më specifik në mbarë rruzullin tokësor në historinë moderne të njerëzimit, të paktën në këto dy mijë vjet, sesa toka palestineze. Kjo gjeografi, si asnjë tjetër, mbart mbi vete të shënuar historitë nga më të çuditshmet, të cilat gjithsesi se janë larë me gjak dhe vetëm me gjak. Ky truall ngërthen në vete më sublimen për secilën fe monoteiste, për shkak të shenjtërisë që e ka.

Sot, kur flasim për këtë periudhë, shumica prej nesh bëjnë një kërcim historik deri në vitin 1917, kur edhe “zyrtarisht” fillon ky problem për “njerëzit modernë”, por në fakt, zanafilla, për ata që janë më të thellë në mendime dhe histori, e dinë se fillon aty diku 4000-5000 vjet para epokës së re, kur për të parën herë dëbohet “populli problematik” nga ato treva, për të vazhduar më pas me dëbimet nga romakët, dëbimet nga “perëndimorët” pas rikthimit të Andaluzisë nën pushtetin e tyre, me strehimin e këtyre të dëbuarve në Perandorinë Osmane dhe, së fundmi, me faljen e tokës së huaj nga britanikët…

Dilema se ç’është ky dështim për rregullimin e këtij nënqielli është vështirë për ta elaboruar. Aq më tepër kur shumica e intelektualëve kanë frikë ta thonë të vërtetën me “emër dhe mbiemër”. Duke qenë se droja për të folur ekziston, para nesh na paraqiten lloj-lloj tezash të ndryshme, se kjo sot që po ngjan është rezultat i mossistemimit të imigrantëve hebrenj në këto toka, ca të tjerë thonë se është mungesa e sensit të arabëve për t’i sistemuar hebrenjtë, ca të tjerë thonë se fajet i kanë ata që i kanë lënë arabët dhe hebrenjtë të kacafyten për gjëra që nuk ia vlejnë (!),… Teza të këtilla mund të numërohen pa fund, por askush nuk thotë se ky problem ka pjellë nga sionizmi si ideologji e brumosur thellë në këtë trajtë që është sot, fillimisht në Angli, e më pas në qarqe të caktuara në SHBA, kuptohet pas Luftës së Dytë Botërore. Askush nuk thotë se kjo ideologji, e ndërtimit të rehatisë mbi dëmtimin e tjetrit, që nga viti 1948 ka lënë pa strehë rreth gjashtë milionë palestinezë dhe po aq prej më shumë se shtatë dekadash jetojnë në aparteid dhe herë-herë nën gjenocid.

Roger Garodi (Roger Garaudy), një mendimtar francez i kohës moderne, në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, e shkruan një libër mbi “Izraelin, mitet dhe terrorin”. Ndonëse Franca vetëquhet si “shtet i fjalës së lirë”, nga ku buron edhe “demokracia moderne”, ajo i mobilizon të gjitha forcat për ta penguar librin në fjalë, me arsyetimin se ai është antisemit. E, në fakt, filozofi Garodi ndoshta për herë të parë në “botën perëndimore” fillon të flasë hapur për mitet e ndërtuara për shtetin e Izraelit pas Deklaratës së Balfourit, për zhvatjen e “tokës së premtuar”, për lobit që heshtin çdo zë, për konceptin e “popullit të zgjedhur”, për sionizmin si ideologji, por edhe për Gjyqin e Nurnbergut. Këto teza të tij, pa dyshim, i hapin shumë telashe… deri në dënim nën akuzën “për nxitje të urrejtjes raciale”. Në të vërtetë, ai shpjegon se “sionizmi, mes tjerash, është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: është doktrinë politike, nacionaliste dhe kolonialiste” dhe shton se “ky koncept është miratuar në gusht të vitit 1897 në Kongresin e Bazelit, të organizuar nga Teodor Herzli (Theodor Herzl), i cili në fund të këtij eventi kishte thënë: ‘Unë e themelova shtetin hebre’”.

William L. Ceveland dhe Martin Bunton, dy studiues shumë të fuqishëm të Lindjes së Mesme, para disa vitesh e kanë botuar një libër, në të cilin shpalosin shumë të vërteta për këtë pjesë të globit. Duke qenë njerëz me moral të lartë akademik, studimi i tyre nuk përmban kurrfarë “izmash”, ndaj edhe sot, në gjithë botën akademike, merret si një ndër referencat kryesore nga ata që duan ta flasin të vërtetën. “Pretendimet sioniste për të njëjtin territor të banuar nga arabët palestinezë janë në rrënjë të konfliktit për Palestinën”, shkruhet në këtë studim, i cili tregon hapur për “mbështetjen britanike” ndaj kësaj matrice ideologjike. Natyrisht, për të pasur pasojë, duhet shkaku. Dhe, shkaku fillon me pogromet e hebrenjve në Europën Lindore, kur realisht shfaqet një antisemitizëm i prerë. Duke qenë se shkaku tashmë ishte, bashkësitë hebreje të Europës e rigjallërojnë idenë e një kthimi në Tokën e Shenjtë, “që prej largimit të tyre nga Palestina me pushtimin romak të shekullit të parë”. Dy autorët shpjegojnë se: “Palestina zinte një vend aq qendror në kulturën fetare hebreje për shkak të besimit se krijimi i Mbretërisë së Izraelit pas Eksodit përfaqësonte përmbushjen e premtimit të Zotit për hebrenjtë se ata ishin zgjedhur për ta plotësuar fatin e tyre në Sion”.

Po a është gjithçka politikë sioniste-hebreje apo pas kësaj fshihet edhe diçka tjetër? Kur i futemi pak më thellë kësaj historie, shohim se “njeriu i bardhë” europian tashmë e ka përdëftuar veten se është anti. Është antiafrikan, është antiaziatik, është antiamerikan në sensin e popujve indigjenë të atij kontinenti, është anti e anti… Dhe, është antilindor. Në fakt, “njeriu i bardhë” është anti çdo fryme që mendon ose pretendon se “ia zë rrugën” në ecurinë e tij. Pastaj, për ta legjitimuar veprimin e vet, qasjen anti vazhdimisht e ka paketuar me koncepte të ndryshme të kohës, prej te “përhapja e civilizimit” e deri te “përhapja e vlerave demokratike”. E duke e bërë këtë jo çdoherë ka qenë i vëmendshëm se çfarë mjetesh zgjedh.

Kjo i bie se sot për atë pjesë të globit, edhe po të mos ekzistonte Izraeli, siç e ka pohuar vetë presidenti Bajden, “do të duhej krijuar një”. Qëllimi… besoj se nuk duhet shumë mençuri për ta kuptuar.

Çfarë nënkupton kjo? Në shekujt X, XI dhe XII, pra në kohën kur abasidët dhe emevitët kishin filluar ta shtrinin një qytetërim krejt të ri në botë, fillon odiseada e kryqëzatave. Sot historia shumë pak “dëshiron të flasë” për atë periudhë tmerri që “frëngjit” – siç janë quajtur në atë kohë templarët e Anglisë, Francës dhe Gjermanisë – e kanë shkaktuar nëpër tokën “nga kanë ecur”. “Historianët modernë” nuk flasin për zullumet e këtyre ekspeditave nëpër Bizant dhe Kostandinopojën e krishterë. Ata heshtin, pasi nëse flasin mbi këto tema, duhet dhënë shpjegime se çfarë kanë kërkuar mbretërit anglezë, gjermanë e francezë në Jerusalem dhe qytetet bregdetare, ku sot njerëzimi e ka shansin ta shohë LIVE gjenocidin dhe aparteidin e shkaktuar nga Izraeli.

Periudha nga viti 1096 deri në vitin 1291 është njëra ndër etapat e turpit të “njeriut të bardhë”, i cili ka udhëtuar deri në 6000 kilometra me kuaj e me anije për t’i zaptuar “tokat e Krishtit”. Atëbotë, po këta që sot në heshtje i legjitimojnë veprimet e shtetit izraelit, gjithkush që ishte tjetri, pra qoftë ai mysliman, hebre ose edhe i krishterë i rendit të kishave autoktone lindore, “kalohej në shpatë”.

Amin Maaluf, në librin e tij “Kryqëzatat në syrin e arabëve”, përmes kronistëve të asaj kohe, na sjellë një pasqyrë shumë të qartë se ç’ngjau në atë periudhë. Duke e lexuar këtë vepër, shumë lehtë mund t’i bëjmë një analogji “vullnetit” të “njeriu të bardhë” që ta përhapë “hegjemoninë” në mbarë botën, dje përmes “idesë së Krishtit”, ndërsa sot përmes “sionizmit”. Por, çfarë konkludon ky autor? “Nëse Perëndimi pati kërkuar nëpërmjet dyndjeve të njëpasnjëshme ta përmbante vrullin e Islamit, rezultati ishte pikërisht e kundërta. Jo vetëm që shtetet frënge të Lindjes së Mesme u çrrënjosën pas një kolonizimi dyshekullor, por myslimanët fituan një përparësi të plotë saqë pa kaluar shumë kohë, nën flamurin e turqve osmanë, ata do të rrekeshin të pushtonin vetë Europën. Në vitin 1453 ata morën Kostandinopojën. Aty nga viti 1529, kavaleria e tyre fushoi para mureve të Vjenës”.

E çfarë duhet të jetë dhe si duhet të duket kjo pjesë e globit? Këtë më së miri mund ta kuptojmë nga fjalët e Salahuddin Ejubit, i cili pas rikthimit të Jerusalemit, pas 88 vjetësh, më 2 tetor 1187, në natën kur myslimanët e kremtojnë Natën e Israsë, dha urdhër që askush në qytet të mos persekutohet. Madje, pas shumë vitesh të kaluara nën robëri, ai pati një kujdes të veçantë për hebrenjtë e paktë, të cilët nën sundimin e frëngjive kishin qenë më të përbuzurit në qytet. Vendimi i tij që të mos preket Kisha e Varrit, e shenjtë për të krishterët dhe lejimi i hebrenjve të luten në Murin e Vajit, ishte shembull i paparë deri në atë kohë për një tolerancë dhe mirëkuptim. “Salahuddini e kishte pushtuar Jerusalemin jo për të bërë pirgje me flori, dhe aq më pak për të kërkuar hakmarrje”, shkruan Maaluf-i.

Natyrisht, parashtrohet pyetja se ku jemi ne shqiptarët në këtë mes? Duke u nisur nga fakti që kemi qenë të lidhur ngushtë me drejtimin e Perandorisë Osmane, tema e Palestinës na prek shumë.

Sot, përballë nesh, parashtrohen dy dilema: e para, nëse duhet të jemi me të drejtën apo duhet të jemi me interesin. Meqë kemi qenë vetë të persekutuar, domosdo duhet t’ia mbajnë krahun të drejtës, fundja e kemi për detyrim edhe si parim hyjnor. Por, kështu nuk mendon lidershipi “pushtetar” shqiptar. Kalvari i fëmijëve palestinezë në përmasa gjenocidi, për këtë nomenklaturë pushtetarësh, duhet vrojtuar nga këndi i interesit tonë kombëtar?! Gjithsesi se kjo qasje është paradoksale, por ca gjëra më së miri i dëshmon koha.

E kur jemi te koha, ajo na flet se si Ferid Pashë Vlora, kushëriri i Ismail Bej Vlorës, kryeministër i Perandorisë Osmane, në vitin 1903, në mënyrë kategorike shprehet kundër kolonizimit të tokave palestineze nga hebrenjtë. Këtë më së miri e përshkruan Eqrem Bej Vlora, nipi i tij dhe i Ismail Qemalit. Ai në “Kujtimet” e tij shkruan se: “Më kujtohet mirë se si, në dhjetor të vitit 1903, unë u ndodha rastësisht në pallatin e vezirit të madh të atëhershëm, Ferit Pashë Vlorës. Ai na tregoi se atë pasdite do të priste baron Rotçilldin nga Parisi. Më vonë mësuam se Rotçilldi kishte kërkuar marrjen në koncesion për 99 vjet të 20.000 hektarëve tokë në Tel Aviv, për të cilën ai ishte gati t’i paguante qeverisë një qira mjaft të lartë”. Te çdokush parashtrohet tani pyetja se cila ka qenë përgjigja: “Veziri i madh nuk pranoi në asnjë mënyrë të ndihmonte për këtë marrëveshje”.

Ndonëse veziri shqiptar e pengon këtë “dill ekonomik”, më vonë Rotçilldi, përmes Sulltanit, thotë Eqrem Bej Vlora, ka arritur të marrë lejen për një “komision studimor” në Tel Aviv. Në vazhdën e kësaj mos të harrojmë se Deklarata e Balfourit e vitit 1917 i drejtohet pikërisht Rotçildit, familjes më të pasur hebreje, së cilës anglezët ia premtojnë “shtetin hebre”, si shans që, siç thotë tani njëri nga pinjollët e kësaj familjeje, “vjen një herë në tre mijë vjet”.

Krejt në fund, nuk do të ishte mirë që kjo temë të mbyllej pa u përmendur edhe drama e “Israilitë dhe filistinë” e Fan S. Nolit, i cili mbi këtë temë ka folur edhe atëherë kur “të përndriturit e Europës” e kanë shfaqur përbuzjen më të madhe për hebrenjtë. Si intelektual i kalibrit më të lartë për kohën e tij, Noli përmes kësaj drame tejet të shkurtër flet për “fatin” e këtyre dy popujve. Kritikët e sotëm letrarë e kanë analizuar këtë vepër artistike më shumë në sfondin e ngjalljes së idesë për liri të shqiptarëve. Ndoshta edhe kanë të drejtë, sepse fundja i gjithë opusi letrar i Nolit ka qenë në këtë frymë, por nuk përjashtohet edhe mundësia që Noli të kishte parë diçka që të tjerët në atë kohë kanë qenë “disa vjet drite larg” për ta kuptuar. Në pasthënien e dramës së shkruar nga vetë dora e Nolit, më 1 prill të vitit 1907 në Boston, ai shkruan: “Përandaj a u heth vëllezërve t’im si një enigmë, shohim kush do t’a zgjidhë”. Sot kritikët letrarë vazhdojnë të debatojnë nëse kjo dramë është përmbyllur apo jo, sepse si e tillë që është, ngjall debate nëse ka qenë konstrukt për të shkruar një dramë të mirëfilltë apo thjesht ka qenë një përpjekje e dështuar letrare e Nolit, pasi që dihet se ai pas kësaj vepre asnjëherë më nuk është marrë me dramën si zhanër të letërsisë. Teksa debati për “perden e fundit të dramës” “Israilitë dhe filistinë” ende vazhdon, në terren i numërojmë viktimat.

Duke qenë se shqiptarët historinë e tyre e kanë ndërtuar përmes përplasjes me Serbinë, të gjithëve na kujtohet se si Millosheviqi më 28 qershor të vitit 1989 u thoshte serbëve në Gazimestan të Kosovës se “askush nuk guxon t’ju prekë”. Millosheviqi në atë kohë nuk e kishte kuptuar se ajo deklaratë ishte PIKU i hegjemonisë serbe në Ballkan. Se si u zhvillua “kurba” e Serbisë pas atij çasti, të gjithë e dimë. Netanjahu, bashkë me përkrahësit e tij ekstremistë, mund të marrin mësim nga e kaluara e afërt… Historia është thesar më vete për ata që duan të mësojnë.

Shkruan: Ismail SINANI
Editoriali i Revistës SHENJA

Exit mobile version