Ballina Artikuj Ismail Xherrahogllu (1929-2022) Allahu e mëshiroftë

Ismail Xherrahogllu (1929-2022) Allahu e mëshiroftë

prof. dr. Ismail Cerrahoğlu

Mbrëmë një shok me të cilin kemi ndjekur studimet e larta pranë Universitetit të Ankarasë në Turqi, më shkroi se kishte ndërruar jetë prof. Ismail Xherrahogllu. Për ta verifikuar lajmin e kontaktova prof. dr. Mehmet Görmezin, që nëse ishte e vërtetë t’i shprehja ngushëllime, sepse ky ka qenë nga ata që shpirtërisht dhe materialisht është kujdesur për rahmetli prof. Ismail Xherrahogllun. Sapo ma konfirmoi lajmin e hidhur, ia lexova një Fatiha rahmetliut dhe sot në mëngjes ia përcolla në formë të selamit leximin e përhershëm në kulturën muslimane – Jasini Sherifin. Rahmetliu ishte një nga profesorët e parë që e pata takuar në Universitetin e Ankarasë aty nga viti 1989, por atë para kësaj e kisha parë në Medine kur isha me haxhilerët e Shkupit për Haxh, nuk më kujtohet viti saktësisht. Ai ishte një nga ato momente që nuk harrohet, sepse teksa unë me një profesor të Medresesë që ka qenë student në Medine, rahmetli Rexhep Nuredinin, ishim “thelluar” duke biseduar për çështjet tona fetare muslimane dhe institucionale të hapësirës së Maqedonisë, dhe si duket biseda kishte qenë aq “e thellë” saqë kishim harruar se ku gjendemi dhe me siguri kishim ngritur zërin më shumë seç duhet, aty pranë kaloi Prof. Ismail Xherrahogllu dhe me një edukatë të lartë na e tërhoqi vërejtjen duke na thënë që ta ulnim pak zërin ngase gjendemi në Xhaminë e hazreti Muhammed Mustafase alejhi salatu ves-selam.

Si u takova sërish me rahmetliun? Ndodhi që unë, me kërkesën e Bashkësisë Fetare Islame në krye të së cilës asokohe ishte Jakup Selimoski, dhe në lidhje me nevojën për hapjen e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, në mungesë të kuadrit për hapjen e një institucioni të arsimit të lartë fetar, pranova që studimet e larta t’i vazhdoja në Universitetin e Ankarasë. Në vitin 1989 unë u regjistrova atje, me qëllim që të merrja drejtimin e studimeve të teologjisë islame, në degën e Tefsirit, ku shef i Departamentit ishte rahmetli prof. Xherrahogllu. Ngaqë e kisha të domosdoshme ta takoj Shefin e Departamentit, ai më pranoi me kënaqësi që të bisedonim rreth studimeve. Natyrisht, sapo e pashë m’u kujtua rasti që përshkrova më sipër dhe kjo ma hapi horizontin mistik të komunikimit me të, ose thënë më mirë nuk ka asgjë të kotë dhe pa qëllim në këtë botë; ndonjëherë dëgjohet, shihet ose përjetohet “fizika” e llojit primordial. Ky ishte një nga momentet e tilla. Ai më pranoi me një dashuri dhe respekt të madh, duke treguar modesti dhe lëvdata për të kaluarën tonë, si dhe respektin për personalitete të shquara që nga Hoxhë Tahsini si themelues i Universitetit modern, e deri te një profesor që kishte qenë në po atë Universitet, rahmetli Prof. Tajib Okiç, sepse ky i fundit kishte qenë ndër profesorët e parë aty dhe kjo ishte një dëshmi dhe një përgjegjësi për mua dhe për disa profesorë të tjerë të cilët kishin ndjekur ligjërata nga Prof. Okiçi. Por, me keqardhje tha “Ismail, për fat të keq nuk jemi të informuar siç duhet për juve muslimanët që keni qenë pjesë e jona, pjesë e Perandorisë Osmane”.

Rahmetliu shpirtërisht u interesua për gjendjen tonë, e sidomos për zhvillimin e medreseve dhe fakulteteve islame në trevat tona. I tregova se unë e kisha kryer fakultetin në Sarajevë. Sjellja e tij plot ngrohtësi dhe insanllëk  ma përkujtonte përshkrimin e medreseve të vjetra, të njerëzve që i kanë përcjellë disiplinat fetare, kulturore nga ulemaja e Perandorisë Osmane, por lëshimet e saj u ndëshkuan dhe kjo është një sfidë e përhershme e traditës së medresesë dhe ulemave. Këtë e kishte shumë të qartë Prof. Xherrahogllu. Për fat të keq, ndryshimet e atëhershme në Turqi sollën deri te një situatë e llojit “të jesh apo të mos jesh”. Megjithatë, edhe Turqia moderne për arsye të nevojës së madhe kishte pranuar që të hapeshin shkollat fetare, si dhe institucione të larta islame, ndërsa rahmetli Prof. Xherrahogllu i takonte gjeneratave të para të kësaj periudhe dhe i cili me shpirt ishte alim i Perandorisë Osmane dhe akademik i Turqisë moderne.

Interesimi i rahmetliut ishte një përgjegjësi e brendshme e tij, nuk e di se sa ishte e dhimbshme dhe sa e gëzuar, sepse vërehej nga ai përgjegjësia e së kaluarës dhe “mjerimi” i së ardhmes, ku kemi qenë dhe ku jemi tani që jemi harruar, kush kemi qenë dhe kush jemi. Interesimi i tij për institucionet arsimore islame dhe bashkësinë islame ishte i madh  dhe, edhe pse ai për shumëçka kishte qenë i informuar nga Prof. Okiçi, unë e informova se kishte medrese në Prishtinë, në Shkup, rreth gjendjes së ulemasë te ne dhe vështirësitë që kanë ekzistuar asokohe si dhe rreth pozitës së shqiptarëve dhe boshnjakëve muslimanë. Faktikisht e gjithë kjo bëri që ai të angazhohej dhe kujdesej edhe me tepër për mua që si e si të plotësohet sadopak boshllëku i teologjisë me hapjen e institucionit të lartë arsimor fetar te ne, duke thënë se ne kemi pasur shumë dijetarë nga këto hapësira, të cilët i kanë mbajtur gjallë shkencat e ilmu’t-tefsirit, ilmu’l-hadithit dhe ilmu’l-kelamit. Atij i vinte keq që nuk i njihte gjuhët e Ballkanit. Me shumë keqardhje e përjetonte gjendjen e komunizmit në Shqipëri, e sidomos dënimet që ia kishte bërë fesë dhe trupit teologjik, duke pasur parasysh se Perandoria Osmane është mburrur me alimat shqiptarë.

Kabineti i tij ishte gjithmonë i hapur për mua, ashtu që shpeshherë bisedat konsistonin në përsëritjen e historisë dhe gjendjen tonë. Sidomos më kujtohet për tezën time të Masterit që kishte të bënte me disa autorë të Ballkanit, e sidomos me përkthyesit tonë të Kur’anit, Sherif ef. Ahmeti dhe Feti Mehdiu. Informata se Kur’ani ishte përkthyer edhe në gjuhën shqipe shkaktoi një kënaqësi për të. Ai thoshte se ne kemi përgjegjësi morale dhe materiale që të kujdesemi për ju, me qëllim që dituritë muslimane t’i zhvillojmë ashtu siç duhet, jo duke u mbështetur mbi regjimet politike-shtetërore, por duke u mbështetur mbi zhvillimet teologjike kulturore fetare; duhet të jemi të kujdesshëm ndaj së kaluarës se gjendja e tashme për ne është një sfidë, dhe nëse e parafrazoj, do të kisha pyetur: diturinë a e mban shteti, apo dituria e mban vetveten?!? Ne sot kemi arritur në një pozitë të mjerueshme, të mos e dimë zhvillimin e mësimit të Islamit dhe të teologjisë muslimane. Ti këtu je një emanet dhe një përgjegjësi për ne, prandaj është mirë që të fokusohesh mbi këto kërkesa, duke e prezantuar zhvillimin e mësimit të Kur’anit, gjegjësisht zhvillimin e disiplinave të Kur’anit; të jesh i kujdesshëm dhe këtë çështje ta marrësh me seriozitet dhe mos hezito të kërkosh atë që duhet, ne do të jemi në shërbim të institucionit tuaj në Maqedoni.

Prof. Ismail Xherrahogllu ishte siç ceka edhe më lart, njëfarë sinteze e edukimit të Perandorisë Osmane dhe Turqisë moderne; këtë e dëshmojnë edhe angazhimet e tij akademike dhe shkrimet që i ka lënë pas, siç janë veprat e tij i të para “Hyrje në Shkencën e Tefsirit” dhe “Historia e shkencës së Tefsirit”; përpos këtyre janë botuar me autorësi të tij edhe analizat e mufessirëve klasikë dhe të rinj me vështrime tepër tepër profesionale të detajuara, duke u mbështetur mbi faktet e gjalla të shfaqjes së kësaj disipline. Ai këtë e merrte me seriozitet të lartë sepse bëhej fjalë për Fjalën e Zotit. Botimet e tij, sidomos dy të parat, janë ribotuar shumë herë dhe sot përdoren si literaturë bazë e shkencës në fjalë.

Qëndrimin tim atje ai e pat marrë me aq seriozitet, saqë disa herë e ndjeja veten në siklet, por për të kjo ishte ibadet dhe emanet, ndaj njohjet me profesorët e atëhershëm që ishin shtyllat mbajtëse të atij institucioni, më mundësuan të jem në një rreth shumë të ndershëm dhe të ngritur shpirtërisht e intelektualisht. Faktikisht ishte ajo një “medrese” shpirtërore fetare dhe kulturore për mua.

Po e përfundoj këtë shkrim përkujtimi duke e përsëritur momentin e parë të takimit kur nuk e dinim se kush ishte ai dhe kush jam unë, fjalën e paharrueshme “ulni zërin, jeni në Xhaminë e Muhammed Mustafasë, jini të heshtur” dhe duke iu lutur Allahut xhel-le shanuhu që ta mëshirojë dhe ta kënaqë me “heshtje” në Xhennetin Firdeus, ashtu siç e kënaqte atë heshtja pranë Pejgamberit në Xhaminë e tij në Medine.

Nga: Ismail Bardhi

 

 

Exit mobile version