Për shkak të rritjes së votave si rezultat i islamofobisë apo ksenofobisë të kandidatëve dhe partive të djathta ekstreme në vendet evropiane si Holanda, Franca dhe Gjermania të cilat janë në zgjedhje apo përgatiten për zgjedhje, thuhet se këto lloj retorikash do të vazhdojnë në këto por edhe në vende të tjera të Evropës madje edhe do të rriten, raporton Anadolu Agency (AA).
Parashikohet që Partia e Lirive e racistit Geert Wilders do të arrijë në norma të rëndësishme në zgjedhjet e përgjithshme në Holandë. Ndërsa në zgjedhjet presidenciale me dy raunde më 23 prill dhe 7 maj në Francë theksohet se ka një mundësi të madhe që Marine Le Pen e ekstremit të djathtë të kalojë në raundin e dytë. Gjithashtu edhe në zgjedhjet në Gjermani parashikohet se partia Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë do të hyjë në parlament duke rritur votat.
Në shumë vende të tjera të Evropës të djathtët ekstremë në saj të islamofobisë apo ksenofobisë kanë kryesuar në arenën politike duke u bërë apo duke arritur në një nivel për t’u bërë rivalë të partive të qendrës së djathtë dhe të atyre të majta.
Ekspertët të cilët i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarit të AA-së, kanë shprehur se në mesin e faktorëve më të rëndësishëm për rritjen e të djathtëve ekstremë janë qëndrimet me “retorika frikësuese” ksenofobe apo islamofobe, qëndrime këto të cilat do të vazhdojnë për shumë vite madje dhe do të rriten.
Samir Amghar, hulumtues i Fondacionit Demokracia Evropiane e cila zhvillon studime mbi rrugët e parandalimit të radikalizmit në Evropë, tha se në vitet e fundit në Evropë është rritur urrejtja kundër muslimanëve dhe se partitë e djathta ekstreme ushqehen me islamofobinë.
“Do të vazhdojë islamofobia e partive të djathta ektreme për shkak se evropianët dëshirojnë të dëgjojnë fjalë kundër Islamit. Rritja e të djathtës ekstreme janë të lidhura me njëra tjetrën me retorikat kundër Islamit. Pikëpamjet e të djathtës ekstreme reflektojnë edhe te partitë e qëndrës së djathtë dhe të majtë. Kjo buron edhe nga përhapja e retorikave të partive të djathta ekstreme”, tha Amghar.
Duke vënë theksin se rritja e pupollsisë muslimane në Evropë është një nga shkaqet që të djathtët ekstremë përdorin, Amghar tha më tej: “Popullsia muslimane në Evropë sa vjen e shtohet. Për këtë arsye në mënyrë demografike muslimanët do të ndodhen në një pozitë më të rëndësishme. Të djathtët ekstremë kanë frikën se ‘muslimanët do të imponojnë islamin në Evropë dhe do ta bëjnë atë territor musliman‘. Për shkak se identiteti kristian është pjesë e pandashme e të djathtëve ekstremë dhe të evropianëve, sipas tyre kjo është një luftë e re”.
Gjithashtu të njëjtin mendim ndan edhe hulumtuesi në Universitetin Sorbone, Nurettin Roland. Ai thotë se ardhja e refugjatëve në Evropë pas krizës së Sirisë ka mbajtur gjallë ndjenjën anti-muslimane. “Është e qartë se do të rriten edhe më tej retorikat anti-islame në Evropë”, tha ai.
Ndër të tjera Roland ka shtuar se sulmet terroriste të kryera në vendet evropiane janë bërë një justifikim për të përjashtuar muslimanët.
Kryetari i Akademisë së mendimit islam në Francë (AFPI) Jamel El Hamri tha se islamofobia kryesisht në Francë ku ka më shumë popullsi muslimane që prej 30 vitesh ka shkaktuar rritjen e partive të djathta ekstreme. “Në 15 vitet e fundit islamofobia ka qenë argumenti më i mirë i të djathtës ekstreme”, tha ai.
Duke vlerësuar arsyet e sulmeve kundër islamit dhe muslimanëve nga politikanët në Francë dhe vendet e tjera të Evropës, El Hamri thekson se “Politikanët nuk kanë zgjidhje konkrete për problemet e brendshme në vendet e tyre. Për këtë arsye e kanë më të lehtë të sulmojnë muslimanët”.
Ndër të tjera El Hamri ka mbrojtur idenë e tij se në rritjen e të djathtës ekstreme ka rol edhe media dhe ka shtuar se disa kanale televizive zhvillojnë islamofobi në mënyrë të vazhdueshme.
Pasi ka rikujtuar se në Francë liderja e Partisë së Frontit Kombëtar e ekstremit të djathtë Le Pen dhe ndihmësi i saj Florian Philippot janë politikanët që ftohen më së shumti në programet politike, El Hamri ka vënë në dukje se për këtë arsye të dajthtët ekstremë nëpërmjet medias mund të transmetojnë me lehtësi idetë e tyre.
“Laicizmi është instrumentalizuar”
Kryetari i AFPI-së, El Hamri mes tjerash thotë se “Në Evropë dhe kryesisht në Francë, e majta, e qendrës së djathtë dhe kryesisht e djathta ekstreme e instrumentalizojnë laicizmin për të legjitimuar islamofobinë dhe ksenofobinë”.
Gjithashtu edhe hulumtuesi Roland tha se politikanët përdorin laicizmin për të kryer racizëm kundër muslimanëve. “Në Francë dhe në Evropë brendësia e shumë koncepteve të tilla si laiciteti, respekti dhe liria janë zbrazur. Këtyre koncepteve u janë dhënë kuptime sipas dëshirës së konjukturave nga mediat dhe politikanët”, tha Roland.