Organizata humanitare “Islamic Relief Kosova”, me rastin e festës së Fitër Bajramit sot gjatë ditës ka shpërndarë 800 dhurata për fëmijët jetim, dhurata këto që për një pako kapin vlerën prej dhjetë euro, ndërsa përmbajnë gjëra ushqimore dhe lodra.
Lavdim Gashi organizator i këtij aktiviteti ka thënë për Ekonomia Online se numri i aktiviteteve të kësaj organizate gjatë muajit të Ramazanit ka qenë i madh.
“Sot kemi të bëjmë me një shpërndarje të një dhurate që është dhurata e Bajramit. Janë realizu 800 dhurata të cilat do të shpërndahem për fëmijët jetim të cilët realisht gjatë gjithë vitit ne i mbështesim me bursa shkollore këto familje dhe këta jetim. Do ti shpërndajmë 800 dhurata rreth 200 fëmijë do të përfitojnë nga ky lokacion, rreth 400 dhurata i kemi dërguar nëpër shtëpia familjeve skamnore dhe jetimëve dhe një pjesë do t’i shpërndajmë në Drenas”, ka thënë ai.
Gashi ka treguar edhe mënyrën se si i kanë përzgjedh këta fëmijë jetim për tu shpërndarë dhuratat.
“Realisht lajmërohen te ne familjet skamnore dhe familjet që rrisin jetim pastaj shkojmë i vizitojmë, i vlerësojmë a janë për tu ndihmuar dhe pasi t’i verifikojmë që janë familje që kanë jetim i fusim në lista të pritjes dhe u sigurojmë donatorë të cilët u ndihmojnë rregullisht më baza mujore”, ka thënë ai.