Dëgjo o vëllai im! Ftesa jonë është përshkruar me fjalën gjithëpërfshirëse “Islame”, megjithëse kjo fjalë ka kuptim shumë më të gjerë, sesa ajo që perceptojnë njerëzit. Ne kemi bindjen se Islami – me kuptimin e plotë të kësaj fjale – është gjithëpërfshirës dhe sistemon të gjitha fushat e jetës, u jep përgjigje shqetësimeve të njerëzve dhe vendos sistem të përkryer dhe të përpiktë. Islami nuk qëndron i paaftë përballë problemeve të njerëzve dhe rregullave, që janë të domosdoshme për reformimin e tyre. Disa njerëz kanë gabuar, duke e konceptuar Islamin si një besim që kufizohet vetëm me disa lloje ritualesh adhurimi dhe përjetimesh shpirtërore. Njerëz të tillë e kanë kufizuar perceptimin e tyre për Islamin brenda këtyre linjave të ngushta.
Nga ana tjetër, ne e konceptojmë Islamin si gjithëpërfshirës, rregullues të çështjeve të njerëzimit si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën. Ne nuk kënaqim veten tonë me pretendimin se ky është një produkt yni, por këtë e kemi kuptuar nga Libri i Allahut dhe nga jeta e muslimanëve të parë. Nëse lexuesi dëshiron të kuptojë ftesën dhe misionin e “Vëllezërve muslimanë” në një kuptim më të gjerë se fjala “islame”, le të kapë Kuranin duke qenë i zhveshur nga çdo lloj egoizmi apo paragjykimi. Vetëm kështu do ta kuptojë, se çfarë përmban Kurani dhe aty do të shikojë edhe ftesën e “Vëllezërve Muslimanë”.
Me të vërtetë([1]), ftesa jonë është ftesë islame me të gjitha kuptimet që mbart kjo fjalë. Pas këtyre fjalëve, ti je i lirë ta perceptosh si të duash, mirëpo ne të kujtojmë se perceptimi yt për ftesën tonë duhet të mbetet brenda suazave të Librit të Allahut, Sunetit të të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe rrugës së brezave të parë e të përkushtuar të muslimanëve. Libri i Allahut është baza dhe shtylla e Islamit. Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s) është sqaruesi dhe komentuesi i Librit, ndërsa praktika e brezave të parë e të përkushtuar të muslimanëve (r.a) janë mishërimi i urdhëresave dhe mësimeve, duke shërbyer edhe si modele praktike për ata të cilët duan t`i zbatojnë këto urdhëresa dhe mësime.
Autor: Hasan El Benna
Përktheu: Rushit Musallari
([1]) – Revista “El-Ikhuânu`l-Muslimîn”, nr 4, viti i 3 i botimit, 4 Sefer 1354 Hixhri/ 7 Maj 1935, faqja (3-5, 19).