Islami na ka dhuruar një kulturë të re jo vetëm në besim, por ka ndikuar edhe në botëkuptimin, në mënyrën e të jetuarit dhe të të krijuarit të gjithë njerëzimit.
Megjithatë ekzistojnë mendësi kolektive që besojnë në një “përplasje mes qytetërimesh” dhe në një papajtueshmëri midis Islamit dhe Perëndimit, por ndërkohë vlen të kujtohet se këto dy qytetërime ndajnë sëbashku një trashëgimi të çmuar kulturore, por edhe shkencore.
Fillimisht, duhet përmendur se qytetërimet nuk kanë kufi ndarës sepse shkëmbimi është gjendja më normale e njerëzimit dhe qytetërimet eksportojnë dhe marrin të mira kulturore mes tyre.
Dekada më parë, orientalisti italian, Alessandro Bausani, do të ishte ndër zërat e parë që do ta konsideronte Islamin si një pjesë përbërëse të kulturës Perëndimore.
Arritjet muslimane nga shekulli i nëntë deri në shekullin e katërmbëdhjetë ndikuan shumë në Rilindjen Evropiane të shekujve pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, si dhe në lindjen e metodës moderne shkencore në shekullin e shtatëmbëdhjetë.
Metoda shkencore, siç është zhvilluar në shkencën moderne perëndimore, u krijua nga myslimanët dhe u praktikua së pari nga ata në një shkallë të gjerë.
Është e ditur se shkenca moderne nuk mund të zhvillohej pa Rilindjen. Por pa shkencën dhe filozofinë islame, nuk do të kishte pasur as Rilindje!
Vlen të përmendet se ndryshe nga bashkësitë e krishtera të antikitetit të vonë, të cilat u ndikuan nga përndjekja romake ndaj filozofëve paganë të antikitetit, myslimanët nuk pësuan të paktën në të njëjtën shkallë konfliktin midis besimit dhe arsyes. Përkundrazi, Kur’ani i urdhëroi muslimanët të kërkojnë dituri gjithë jetën e tyre. Si rezultat, myslimanët shpejt filluan të rikuperojnë veprat shkencore dhe filozofike të së kaluarës klasike dhe filluan t’i përkthenin ato në Arabisht. Nëpërmjet tyre, europianët arritën të njihnin të shkuarën e tyre dhe trashëgiminë kulturore.
Në një periudhë të historisë kur trashëgimia shkencore dhe filozofike e botës antike ishte gati të humbej, myslimanët e ruajtën atë trashëgimi nga shkatërrimi. Është e sigurt se pa këtë kontribut, “bota moderne” do të dukej shumë më ndryshe se sa duket sot.
Autor: Oriada Dajko
Autorja ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës dhe është studente e gjeneratës së IX në Akademia e Studimeve PNFBI