Luftëtarët besnikë të grupit militant ISIS kanë kërkuar falje për një sulm ndaj forcave izraelite në Lartësirat e Golanit.
Moshe Yalon, i cili shërbeu si kreu i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes nga viti 2013 deri në dorëheqjen e tij në vitin 2016, iu referua një përleshjeje që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj përleshjeje, grupi kryengritës i lidhur me ISIS-in, “Khalid ibn al-Walid”, kishte sulmuar njësitë izraelite në lartësitë e Golanit, territor ky sirian i aneksuar nga Izraeli.
Por Izraeli iu përgjigj të shtënave duke nisur sulme ajrore në pozicion të militantëve, duke vrarë katër vetë, transmeton News Week.
“Kishim një rast ku ISIS hapi zjarr dhe kërkoi falje”, tha Ya’alon.
Yalon nuk ka specifikuar se si dhe kur u bë kjo kërkimfalje dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratën e tij.
Sulmi i nëntorit ishte përplasja e parë dhe e vetme mes Izraelit dhe ISIS.
ISIS në mënyrë rutinore bën thirrje për të ekzekutuar individë që ata pretendojnë se janë spiunë izraelitë dhe që veprojnë në “kalifatin e vetëshpallur” që përfshinë pjesë të Irakut dhe Sirisë.
Izraeli aneksoi rajonin e Golanit në vitin 1981 gjatë Luftës Gjashtë Ditore, një veprim ky që nuk u njoh ndërkombëtarisht dhe u kritikua nga OKB.
Izraeli zyrtarisht pretendon neutralitet në konfliktin sirian.
Avionët luftarakë izraelitë nisën sulmet ajrore të enjten pranë aeroportit ndërkombëtar të Damaskut kundër atyre që thuhet se ishin depot e armëve të përdorura nga grupi militant Hezbollah, i cili mbështet Asadin. /MESAZHI/