ISIS merr përgjegjësinë për dy sulmet në kisha në Egjipt

Të paktën 11 persona humbën jetën në shpërthimin e fuqishëm që ndodhi përpara kishës në qytetin Aleksandria të Egjiptit disa orë pas sulmit të ngjashëm në veri të vendit ku mbetën të vrarë të paktën 25 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Përgjegjësia për të dy sulmet që kanë ndodhur, kur të krishterët shënojnë festën e hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem është marrë përsipër nga anëtarët e organizatës terroriste ISIS.

“Njëmbëdhjetë persona humbën jetën ndërsa 35 janë plagosur në sulmin me bombë në qytetin Aleksandria”, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Egjiptit, Khaled Mujahed.

Një zyrtar i paemëruar i policisë egjiptiane tha se në mesin e të vrarëve janë edhe tre pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Gjatë shpërthimit në kishë ndodhej edhe papa i Kishës Ortodokse Kopte Tawadros II, i cili nuk është i plagosur, njoftojnë mediat lokale.

Shpërthimit i parapriu sulmi me bombë në Kishën kopte të Shën Gjorgjit në qytetin Tanta në veri të Egjiptit në të cilën humbën jetën të paktën 25 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.