Ishim të rinj, kur hoxhallarët tanë e thonin këtë që dëshmojmë sot!

Ishim studentë, kur Hoxha i jonë i madh, Kryemyftiu sirian, Shejkh Ahmed Keftaro, rahmet pastë, që kishte vizituar kryeqendrat e botës, dëshmonte pa asnjë dyshim se shekulli 21, është shekulli i Islamit! Dhe kishte plotësisht të drejtë! Sot, përherë e më shumë po shohim se si njerëzimi po kthehet me vëmendjen e tij nga Islami, si alternativë e shpëtimit nga katrahurat dhe humnerat, ku sistemet njerëzore e kanë sjellë botën, duke e bërë njeriun armik të njeriut, duke përhapur përherë e më shumë sëmundje e luftra, gjak e tym, shkatërrim e ambicie të djallëzuara kundër jetës dhe racës njerëzore! Kudo nëpër Evropë e perëndim, numri i vazhdueshëm në rritje i konvertimeve në Islam, është sinjal i fortë se dielli nuk mund të mbulohet me përpjekje të dështuara, porse rrezet e tij do të depërtojnë, duke dëbuar errësirat, me a pa dashjen e tyre. Kështu edhe kjo fé e pastër dhe e naltë, me të cilën, Zoti Fuqiplotë, Një dhe i Vetëm, don të na zbukurojë jetën; do të përhapet e do të mbërrijë ku ka mbërritur nata dhe dita, jo thjeshtë për statistikë e numër, por si realitet i dëshmuar dhe mundësi rimëkëmbjeje për mbarë njerëzimin! Nata e Kadrit, si perceptim i veçantë, na jep mundësinë të zgjohemi e të punojmë pambarimisht për këtë Rimëkëmbje drejt “Pozitës së Naltë”, që është simbolika e kësaj Nate të mrekullueshme adhurimesh të panumërta, që racës njerëzore i falin Selam-Paqe, “deri në agim” të një dite të re për krejt racën njerëzore dhe jetën mbi faqen e dheut!