Ish-togeri në Policinë e Kosovës Menderes Sinani është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj me dënim unik prej 7 vjetësh burg. Atij gjykata gjithashtu ia ndaloi ushtrimin e ndonjë pozite publike për pesë vjet.
Në dënim atij do t’i llogaritet koha e kalimit në paraburgim. Sinanit që po gjykohej nën masën e arrestit shtëpiak, i është caktuar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Sinani që drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Menderes Sinani përpara se të dënohej u shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për ushtrim ndikimi, për mosraportim të kryesit të veprës penale, ndërsa i pafajshëm për posedim të armës dhe dhënien e ndihmës kryesit pas veprës penale.
Gjykata udhëzoi familjen e të dëmtuarit Bidajet Sylejmani që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë civile.
Dënimit i ka shpëtuar i akuzuari tjetër i këtij procesi Vahid Tahiri që është shpallur i pafajshëm për shmangie nga tatimet doganore.
Shpalljen fajtor dhe dënimin sipas ligjit të Menderes Sinanit e Vahid Tahirit i kërkoi prokurori Drew Engel në fjalën e tij përfundimtare të paraqitur më 9 shtator.