Ish-shefi i diplomacisë gjermane akuzon Izraelin për kryerjen e krimeve të luftës në Gaza

Sigmar Gabriel

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka akuzuar Izraelin se ka kryer “krime të luftës” në Gaza, transmeton Anadolu.

“Ajo që ai (kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu) dhe qeveria izraelite po bëjnë atje janë krime lufte”, tha Gabriel në një intervistë për faqen e lajmeve ‘Pioneer’.

Gabriel tha se qeveria izraelite po kryen një operacion ushtarak në Gaza që “jo vetëm se është i drejtuar kundër Hamasit, por gjithashtu përfshin një numër të pabesueshëm viktimash civile”.

“Kjo shkel gjithçka që dimë, Konventën e Hagës për Luftën në Tokë, ligjin ndërkombëtar të luftës. Kjo nuk mund të justifikohet”, tha ai.

Gabriel akuzoi kryeministrin izraelit për zgjatjen e luftës në Gaza në mënyrë që ai të mund të qëndrojë në pushtet.

“Ditën që do të përfundojë lufta, ai do të jetë jashtë detyrës”, theksoi ai.

Komentet e ish-shefit të diplomacisë gjermane erdhën pas rezolutës së javës së kaluar të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së që i bën thirrje Izraelit të mbahet përgjegjës për krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Gaza.

Vetëm gjashtë vende votuan kundër rezolutës, e cila kaloi me 28 vota pro dhe 13 abstenime. Gjermania, një aleate e fortë e Izraelit, ishte ndër ato vende që kundërshtuan rezolutën.

Gjermania po ashtu po përballet me akuza ligjore nga Nikaragua në gjykatën më të lartë të OKB-së se po “ndihmon kryerjen e gjenocidit” kundër palestinezëve me mbështetjen e saj ushtarake dhe politike për Izraelin.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 33.300 palestinezë janë vrarë në territorin palestinez dhe rreth 76 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.