Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-presidenti Meta paraqitet në SPAK për çështjen ndaj tij

Ish-presidenti Meta paraqitet në SPAK për çështjen ndaj tij

Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku është marrë në pyetje për çështjen ndaj tij, raporton Anadolu.

Meta, i cili është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish është pyetur për disa orë nga prokurorët në lidhje me dyshimet për veprat penale ndaj tij.

Në një deklaratë për mediat, avokati i Metës, Genc Gjokutaj, u shpreh se Meta sot është pyetur sa i përket çështjes së lobimit në SHBA.

“Meta ka qenë bashkëpunues dhe tepër sqarues lidhur me çështjen aq sa ai kishte dijeni”, tha Gjokutaj.

Gjokutaj theksoi se prokurorët i kanë konfirmuar Metës së është e pamundur të komunikojë me mediat.

“Meta përballë këtij procesi nuk ka zgjedhur heshtjen dhe nuk ka zgjedhur shmangien, por ka zgjedhur përballjen me aktet dhe faktet që prokurorët kanë në dispozicion”, tha ndër të tjera Gjokutaj.

Në lidhje me paraqitjen e tij sot në SPAK, ka reaguar edhe Meta, ku në rrjetet sociale ka shkruar se “Kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit”.

– Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar më 21 tetor 2024 i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit ‘CEZ-DIA’ dhe për kontrata lobimi në SHBA” dhe aktualisht është në paraburgim.

Sipas SPAK-ut, Meta si ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, post të cilin e ka mbajtur disa vite më parë, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet një kompanie dhe kompanisë CEZ Shpërndarje (ish-kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri), kontratë e cila kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Gjithashtu, sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se Meta në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën është në proces divorci, si deputete kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis disa kompanive.

Më tej, thuhet se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, duke përfituar sipas SPAK-ut përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë.

Sipas SPAK-ut, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta, me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi në SHBA me një kompani, që sipas autoriteteve nuk janë deklaruar.

Ndër të tjera, theksohet se nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019.

Exit mobile version