Ish-presidenti Hashim Thaçi arrin në Kosovë

Dhomat e Specializuara në Hagë ia kanë mundësuar Thaçit pjesëmarrjen në ditët e ngushëllimeve që po mbahen në Skenderaj.

Nuk dihet se sa orë do të mund të qëndrojë Thaçi afër familjarëve në Skenderaj, por i njëjti do të mundet t’i takojë ata e t’i ngushëllojë nga afër.

Ish-presidentit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrimin e babait të hënës, derisa avokati i tij mbrojtës Lluka Misetiq deklaroi se në ora 14:00 të hënën ishte dorëzuar veçse kërkesa për të marrë pjesë në varrim por sipas tij e njëjta me gjasë është refuzuar.

Shumë qytetarë, fytyra publike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina këto ditë kanë qëndruar në Skenderaj duke ngushëlluar familjen e ish-presidentit Thaçi.

Pas disa kërkesave radhazi që kishte bërë në Speciale që të takojë babain e tij, Thaçit iu mundësua të vij në Kosovë më 13 mars ku qëndroi për rreth 4 orë me babain, gruan dhe djalin e tij.

Kjo vizitë u mundësua nën masa të rrepta sigurie ku forca të shumta e të shtuara policore qëndronin vazhdimisht afër tij e përreth gjithë QKUK-së.

Refuzimi i vazhdueshëm i kërkesave për ta vizituar babain ia bën edhe më të madhe dhimbjen të dy palëve- e një gjë e tillë u vërejt edhe tek ish-presidenti Thaçi në kohën kur la babain e tij të shtrirë në spital.

Në varrimin e Haxhi Thaçit dhe homazhet që u bën për të morën pjesë mijëra njerëz e në mesin e tyre edhe një delegacion nga Shqipëria.

Haxhi Thaçi u përkujtua edhe si figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe kontributit të tij në kuadër të UÇK-së.