Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.
Aktgjykimi u shpall të premten.
Sipas gjykatësit Arben Hoti, nga provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.
Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.
Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./ BetimipërDrejtësi