Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga parlamenti i vendit (Knesset), transmeton Anadolu.
Vendimi i ministrit Gallant vjen më pak se dy muaj pasi kryeministri Benjamin Netanyahu e largoi atë nga posti si ministër i mbrojtjes mes tensioneve të vazhdueshme mbi situatën e sigurisë së Izraelit dhe politikat e diskutueshme të qeverisë.
Gallant njoftoi dorëheqjen e tij në një video-mesazh të transmetuar nga mediat izraelite, duke theksuar se do të informojë kryetarin e parlamentit për vendimin e tij.
Sipas ‘The Jerusalem Post’, ai theksoi se karriera e tij 45-vjeçare në shërbimin publik ishte vetëm një pjesë e një udhëtimi më të madh që është larg përfundimit.
Pavarësisht dorëheqjes së tij, Gallant ripohoi angazhimin e tij ndaj partisë Likud, duke theksuar se “rruga e Likud-it është rruga ime”.
Dorëheqja e Gallant-it vjen pas një sërë trazirash politike, duke përfshirë largimin e tij nga posti i ministrit të mbrojtjes në nëntor të vitit 2023 pas kritikave në publik për trajtimin e çështjeve të sigurisë nga qeveria, veçanërisht draftit të haredimit në ushtrinë izraelite.
Duke dhënë dorëheqjen vullnetarisht, Gallant synon të shmangë sanksionet e mundshme që mund të kufizojnë të ardhmen e tij politike brenda partisë Likud. Largimi i tij i lejon atij të mbetet i përshtatshëm për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme, potencialisht si një kandidat për partinë Likud.
Mandati i Gallant është shënuar nga sfida të rëndësishme, duke përfshirë gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza.
Mosmarrëveshjet e tij publike me kryeministrin Netanyahu mbi politikat e sigurisë kanë theksuar ndarjet brenda qeverisë izraelite gjatë një periudhe të trazuar.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë të paktën 45.550 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën e tij në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.