Ballina Artikuj Ish-ministri Agani përmes një letre jep fakte që e sqarojnë “padrejtësinë e...

Ish-ministri Agani përmes një letre jep fakte që e sqarojnë “padrejtësinë e bërë ndaj tij”

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pas shpalljes fajtor dhe dënimit me 2 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i është drejtuar qytetarëve me një letër të gjatë.

Ai ka thënë se është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës.

Agani përmes një letre ka shprehur në disa pika ato që i ka quajtur anomali gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, të cilat i ka quajtur “fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj tij me vendimin e sotëm gjyqësor”.

Ky është reagimi i plotë i Aganit:

Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës,

Ju drejtohem në këto momente të vështira për mua, familjen time, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së Drejtësisë si dhe miqtë e shumtë në vend dhe jashtë tij me ndjenjën e detyrimit që të ndajë me Ju të vërtetën përkitazi me këtë proces gjyqësor që tash po shihet qartë se ka pasur që nga fillimi prapavijë të rëndë politike. Momente të vështira, jo për shkak të llojit dhe përmasave të dënimit të shqiptuar sot ndaj meje në Gjykatën Themelore të Prishtinës sepse nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, por për shkak të zhgënjimit të rëndë që përjetova sot në këtë Gjykatë e cila pa fije turpi me Vendimin e saj mohoi në tërësi të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, ekspertëve dhe të gjitha provat materiale të paraqitura gjatë këtij procesi tre vjeçar gjyqësor.

Konsideroj se jam ballafaquar në mënyrë dinjitoze me akuzat plotësisht të pabazuara të Prokurorisë që nga dita e parë e ngritjes së tyre zyrtare duke dhënë dorëheqje nga posti i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të mundësuar proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor, si dhe duke u përmbajt nga çfarëdo intervenimi dhe interpretimi politik si kryetar i Partisë së Drejtësisë gjatë gjithë këtij procesi të stërzgjatur juridik. Besoj se me këtë kam vendos standard politik i cili po shihet qartë është vështirë i arritshëm për shumicën e zyrtarëve të lartë politik të shtetit. Mirëpo, sot u dëshmua se për ngritjen cilësore të sistemit juridik të vendit nuk mjaftojnë në këtë fazë të tranzicionit vetëm shembujt personalë.

Është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës. Shkelja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë e bërë sot me këtë Vendim ishte e rëndë dhe eklatante. Shkurtimisht dëshiroj të theksoj se jam shpallur fajtor për:

· Mos ndalim të nënshkrimit të marrëveshjes me spitalet private përderisa me dispozitë konkrete ligjore ka qenë obligim nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla.

· Mos shpallje të tenderit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore përderisa Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregulla financiare e nxjerrë nga Ministria e Financave përcakton se për mjetet nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve nuk zbatohet prokurimi publik dhe nuk shpallet tender. Pra për çështje e cila është rregulluar me Ligj si e tillë, unë shpallem fajtor për zbatim të ligjit.

· Jam shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare për periudhën deri në dhjetor të vitit 2015 në të cilën nuk kam qenë fare Ministër i Shëndetësisë. Si mund të kuptohet kjo të nderuar qytetarë, si mund të jem fajtor kur në periudhën pas dhjetorit të vitit 2014 nuk kam qenë Ministër i Shëndetësisë?

· Jam dënuar për mos ndalim të marrëveshjes e cila ka qenë në fuqi edhe para se të emërohem Ministër i Shëndetësisë dhe për procedurë e cila vazhdon të zbatohet edhe sot e kësaj dite përkundër se janë ndërruar disa Ministra të Shëndetësisë. Procedura vazhdon në mënyrë identike, ndërsa në krejt këtë proces unë shpallem fajtor. Si mund të ketë arsyeshmëri ligjore e gjithë kjo?

· Jam dënuar për shkaktim të dëmit buxhetit të shtetit në vlerë prej 4.5 milionë euro, ndërsa vetë Avokatura Shtetërore si përfaqësuese e Republikës së Kosovës për asnjë moment nuk ka prezantuar në proces gjyqësor dhe nuk ka dhënë asnjë argument për dëmin gjoja të shkaktuar. Pra si ka dënim për dëmtim të buxhetit të shtetit ndërsa nuk ka dëm të shkaktuar.

· Jam dënuar gjoja për dëmin e shkaktuar në vlerë prej 4.5 milion euro, ndërsa për dëmin e njëjtë në vlerë të njëjtë janë duke vazhduar edhe 2 procese të ndara gjyqësore të njohura si STENTA 2 dhe STENTA 3. Pra si ka mundësi që për dëmin prej 4.5 milionë euro i cili fillimisht pretendohej se është shkaktuar nga të gjithë të akuzuarit, jemi dënuar unë dhe z. Gani Shabani ndërsa dy proceset tjera ende nuk kanë përfunduar dhe në ato procese Prokuroria pretendon se në secilin proces ka dëm nga 4.5 milion euro. Pra dëmi gjatë procedurës është trefishuar nga Prokuroria dhe Gjykata respektivisht.

Këto janë vetëm disa nga anomalitë e shumta të gjithë këtij procesi gjyqësor dhe fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj meje me vendimin e sotëm gjyqësor.

Si të shpjegohet fakti se jam dënuar në bazë të një Aktakuze e cila është ngritë në mënyrë të kundërligjshme nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kur e njëjta nuk kishte kompetencë për një gjë të tillë. Lënda i ishte marrë në mënyrë arbitrare Prokurorisë Speciale për të kaluar në zyrën e Kryeprokurorit, ndërsa pas ngritjes së aktakuzës lënda është përfaqësuar nga Prokuroria Speciale e cila më sipas vendimit të parë nuk ishte kompetente.

Unë do të ndërmarr të gjitha masat e duhura ligjore në të gjitha instancat juridike të vendit që vendimi i tillë assesi të mos kaloj në Gjykatën e Apelit. Kam shpresën se së paku Gjykata e Apelit do të trajtoj në mënyrë profesionale të gjitha argumentet e prezantuara gjatë këtij procesi gjyqësor nga ana ime dhe se këto gabime të palejueshme do të sanksionohen dhe eliminohen nga ana e saj.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dëshiroj tu siguroj se vendimi i sotëm jo që nuk do të më luhat në përkushtimin tim politik dhe shtetëror për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit prosperues të Kosovës i cili nuk do të zbrazet çdo ditë nga të rinjtë dhe qytetarët e tjerë ashtu siç po ndodhë këto ditë, por përkundrazi do të më forcojë edhe më shumë në betejën historike të cilën të gjithë së bashku duhet domosdo ta fitojmë kundër paditurisë, diletantizmit profesional, padrejtësisë, intrigave dhe shantazhimeve në politikë dhe në shtet, që janë bërë përditshmëri e vrazhdë dhe e rëndë, sot e konkretizuar edhe një herë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Dr. Ferid Agani. 

Exit mobile version