Ish-kryeministri Gruevski dënohet me 2 vjet burg në rastin “Tanku”

Ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski sot në Gjykatën Penale Shkup është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg në lëndën e Prokurorisë Speciale Publike të quajtur “Tanku”. Ndërsa, i akuzuari i dytë ish-kryeministri Nikolla Gruevski si nxitës për kryerje të veprës është dënuar me dy vjet burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Popovski është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Gruevski për veprën për përfitim personal dhe nxitje për kryerje të veprës penale.

Gjykatësja gjatë shqiptimit të aktvendimit tha se të dy të dënuarit duhet që në afat prej 15 ditëve pas hyrjes në fuqi të vendimit ta kompensojnë dëmin e shkaktuar në këtë rast.

Ish-kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm gjatë shqiptimit të aktvendimit për rastin “Tanku”, por ishte i përfaqësuar nga avokatët e tij.

I akuzuari i parë Popovski, me pranga në duar nga burgu u soll në gjykatë. Ai dje si ish-ndihmës ministër i Punëve të Brendshme, u dënua me nëntë vite burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lëndën e PSP-së “Treqind”, për furnizimin e 300 automjeteve për MPB-në dhe menjëherë u dërgua në paraburgim me kërkesë të PSP-së për shkak të rrezikut për arratisje.

Për të akuzuarën e tretë në këtë rast ish-ministren Gordana Jankullovska, para një muaji procedura u nda dhe për të seanca është caktuar më 28 qershor.

Sipas aktvendimit të lexuar nga gjykatësja, Gruevski ka ushtruar ndikim mbi dy të akuzuarit tjerë në mënyrën që nga Gordana Jankullovska ka kërkuar që MPB-ja të blejë automjet udhëtimi “Mercedes”, ndërsa Jankullovska ka nxitur Popovskin që gjatë blerjes së automjetit ta favorizojë një firmë.

PSP-ja kundër ish-kryeministrit Gruevski ka ngritur gjithsej 5 aktpadi për raste që dalin nga materialet e përgjuara.