Ish-kryeministri i Egjiptit mbërrin në Kajro

Ish-kryeministri egjiptian, Ahmed Shefik, i cili ka njoftuar kandidimin e tij për zgjedhjet presidenciale në Egjipt, njoftohet se është kthyer në vendin e tij, pas një periudhe qëndrimi rreth 5 vjeçare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet e aeroportit ndërkombëtar të Kajros, mësohet se Shefik me 20 persona që kanë ardhur bashkë nga EBA kanë zbritur në Kajro me një avion privat.

Bëhet e ditur se Shefik është pritur në aeroport nga rreth 50 persona nga familja dhe disa mbështetës të tij. Sherif esh-Shazili, djali i motrës së Shefik në një deklaratë për gazetarët ka vënë në dukje se kishin marrë një telefonatë nga ekipi i Shefik pak para se të niseshin nga EBA, të cilët i kishin përcjellë informacionin se gjendja shëndetësore e tij ishte e mirë.

Ndërkohë edhe EBA kishte njoftuar se ish-kryeministri egjiptian ishte larguar nga EBA për t’u kthyer në Egjipt.

Ish-kryeministri Shefik kishte vendosur kandidaturën e tij edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në Egjipt të cilat i fitoi Muhammed Mursi i larguar nga detyra me grusht shteti. Ai gjithashtu kishte njoftuar se do të kandidonte në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vendin e tij në vitin 2018. Shefik pas këtij vendimi ishte shprehur se qeveria e EBA-së kishte vendosur ndalesën e udhëtimit ndaj tij.