Asad Nasif, një prej ish-gjeneralëve të ushtrisë së Sirisë i cili është strehuar në Turqi, ka theksuar se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) kanë marrë një vlerësim të madh me ndjeshmërinë që kanë treguar gjatë operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) Nasif është shprehur se, “Kjo ushtri po të mos mendonte civilët mund të kishte hyrë për jo më shumë se 24 orë në qendër të Afrinit, por ajo ka treguar kujdesin për të mos dëmtuar civilët. Sipas TSK-së përparësia më e rëndësishme e saj ka qenë të mbrojë civilët”.
Pasi ka tërhequr vëmendjen se operacioni i Afrinit ka nisur plotësisht në kohën e duhur, Nasif ka shpjeguar se YPG/PKK-ja kishte përshpejtuar aktivitetet terroriste si në Turqi ashtu edhe brenda Sirisë dhe se persekutonte popullatën kryesisht në rajonin e Afrinit.
“Kushtet e terrenit në rajon kanë qenë të vështira. Një zonë malore, e mbushur me mina dhe kurthe të shpërthyesve artizanale. Më e rëndësishmja ishte se kërkohej që civilët të mos dëmtoheshin. Pavarësisht këtyre operacioni po kryhet me shpejtësi dhe me sukses nga sa ishte parashikuar. Në rajonin e Afrinit jetojnë rreth 400-500 mijë civilë. Ky operacion nuk filloi me qëllim lufte, por vetëm me qëllim humanitar. Civilët atje kishin bërë dhjetëra herë thirrje që të shpëtoheshin. Edhe ky operacion për këtë arsye është ndërmarrë dhe është zhvilluar me një kujdes të veçantë që civilët të mos dëmtohen”, thotë Nasif.
– “Turqia mbron civilët duke rrezikuar jetën e ushtarëve të saj”
Nasif nënvizoi se një kujdes i madh është treguar për të mos dëmtuar civilët në operacion dhe theksoi se qytetarët e plagosur në rajonet e çliruara kanë marrë trajtime mjekësore, si dhe ndaj civilëve janë shpërndarë ndihma, si ushqime dhe veshmbathje.
Popullata në këtë mënyrë mbrohet edhe nga sulmet e organizatës terroriste YPG/PKK, ka theksuar Nasif duke shtuar më tej: “Edhe popullata është e kënaqur nga kjo situatë. Jemi të vetëdijshëm se ushtria e Turqisë është një ushtri e fortë. Ajo nuk masakron civilët në Siri ashtu sikurse veprojnë disa vende të tjera me arsyetimin se do të godasin terrorizmin. Turqia mbron civilët duke rrezikuar jetën e ushtarëve të saj”.
Ai tha se disa institucione mediatike të huaja pavarësisht ndjeshmërisë që Turqia ka treguar për civilët, kanë bërë lajme të ndryshme për të njollosur ushtarët turq.
“Së fundmi treguan si sulm të ushtarëve turq ndaj civilëve në Afrin, një fëmijë i cili ishte përballur me sulmin e një qeni dhe ishte dëmtuar në fytyrë. Po e njëjta media nuk publikon lajmin që YPG/PKK-ja pengonte largimin e civilëve me qëllim për t’i përdorur si mburojë e gjallë. Kjo gjë tregon hapur qëllimin e tyre për të njollosur Turqinë dhe operacionin e ndërmarrë nga ajo”, tha Nasif.