Ish-agjentët e Mossad-it u kanë dhënë mbështetje rezervistëve që u pushuan nga ushtria për shkak të kërkesës që bënë për t’u dhënë fund sulmeve izraelite në Rripin e Gazës me qëllim shkëmbimin e të burgosurve, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta “The Jerusalem Post”, rreth 250 ish-oficerë të Mossad-it, përfshirë tre ish-shefa të Mossad-it, një ish-zëvendës shef dhe drejtues të lartë, morën pjesë në thirrjen për t’i dhënë fund sulmeve në Gaza, në mënyrë që të burgosurit të mund të kthehen menjëherë në shtëpi.
Në letrën që ata publikuan, ish-agjentët e Mossad-it bënë thirrje t’u jepet fund sulmeve izraelite në Gaza për shkëmbimin e të burgosurve dhe shprehën solidaritetin e tyre me pilotët aktivë që u dëbuan nga ushtria dhe potencuan shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit.
“Ne i bashkohemi thirrjes për veprim të menjëhershëm për të arritur marrëveshje për t’i kthyer të 59 robërit në shtëpi pa vonesë, edhe nëse kjo do të rezultonte në ndalimin e luftës”, shkruan ish-oficerët e Mossad-it në letër.
Në letër, ish-anëtarët e Mossad-it argumentuan se sulmet e vazhdueshme në Gaza rrezikojnë jetën e të burgosurve dhe ushtarëve. “Duhet të vlerësohet çdo mundësi për të arritur marrëveshje që do t’u japë fund vuajtjeve”, thanë ata.
Në mesin e atyre që u nënshkruan në letër ishin ish-drejtorët e Mossad-it, Danny Yotam, Ephraim Halevi dhe Tamir Pardo.
– Brenda ushtrisë izraelite shtohen thirrjet për ndaljen e sulmeve në Gaza
Gati 1.000 pilotë dhe rezervistë nga Forcat Ajrore Izraelite, disa prej të cilëve në pension, publikuan një letër ku bënë thirrje për t’u dhënë fund sulmeve në Gaza.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir miratoi vendimin e komandantit të Forcave Ajrore, Tomer Bar për shkarkimin e ushtarëve nga ushtria të cilët nënshkruan letrën ku kërkohet përfundimi i sulmeve në Gaza.
Pas pilotëve dhe ushtarëve rezervë të forcave ajrore, më shumë se 150 oficerë në pension të marinës dhe ushtarë rezervë nga njësitë e blinduara publikuan një letër duke kërkuar ndalimin e sulmeve në Gaza me qëllim të shkëmbimit të të burgosurve.
Qindra rezervistë nga njësia e inteligjencës ushtarake izraelite “8200” nënshkruan një letër me kërkesën për ndalimin e sulmeve në Gaza. Kjo letër e anëtarëve të Forcave Ajrore Izraelite u mbështet nga akademikë dhe mjekë ushtarakë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka përshkruar ushtarët aktivë dhe në pension që kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve në Rripin e Gazës për të shkëmbyer të burgosurit si ” një tufë bar i egër” dhe i ka akuzuar ata për përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij të koalicionit.