Uragani Irma po shpalos fuqinë e tij të plotë në Florida. Me shpejtësi ere prej 215 kilometrash në orë kaloi ai mbi vargun e ishujve “Florida Keys”. Po me këtë nuk ka marrë fund rreziku.
Ekspertët llogarisin se do të ketë dallgë baticash shumë të larta, të shkaktuara nga erat që bart me vete Irma.
Po jo të gjithë banorët janë larguar, megjithë paralajmërimet më të forta të autoriteteve: banorët nuk janë larguar, siç ka vepruar John Hines. I pyetur nga CNN, ai tha se është i përgatitur për të pritur shtrëngatën.
“Jemi në një godinë betoni, në katin e tretë, dritaret i kemi bllokuar. Ndodhemi mbi dallgët e mundshme të larta të ndonjë batice, uragani nuk do të rrëzojë një godinë prej betoni”, u shpreh Jones.
Ai tërhoqi vëmendjen që edhe ekipet e ndihmës së shpejtë ndodheshin në një hotel betoni në anën tjetër të rrugës. Dhe shtoi se kishin mbledhur shumë rezerva: ujë, ushqime e alkool.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të Keys që të largohen nga vargu i ishujve. Dallgët e larta të baticave mund ta përmbytin krejtësisht ishullin, të shkatërrojnë urat.
Cammy Clark, nga qendra e organizimit të masave tha e dëshpëruar se është shumë vonë që t’u thuhet njerëzve që duhet të shkojnë në vende të sigurta.
“Ka njerëz në varka, që nuk kanë pranuar që të largohen nga varka e tyre. Nuk e di si do t’u vejë halli atyre. Kemi katër strehime emergjente, për ata që e ndryshojnë mendjen”.
Strehimet emergjente ndodhen në ndërtesa që përballojnë uraganë të shkallës 5. Clark tha se shpreson që të gjithë ata që ndodhen në to të ndihen mirë.
Meteorologët presin që uragani të kalojë përgjatë bregdetit perëndimor të Floridas për në veri. Atje autoritetet janë në gjendje të posaçme alarmi./dw/
Më parë ato qenë përgatitur vetëm për pasoja të mundshme të Irmas, tani mund të preken direkt. Veçanërisht i madh është shqetësimi për dallgët e mëdha të baticave.
Bob Buckholm, kryetari i bashkisë së Tampas në Bregdetin Perëndimor thotë se nuk ishin goditur drejtpërdrejt nga një uragan prej më shumë se 90 vjet.
“Ne jemi të vonuar. Çdo vit stërvitemi sikur do të na godasë uragani. Jemi të shqetësuar për dallgët e mëdha të baticave, duam që njerëzit të largohet nga zonat e dallgëve të mëdha. Do të kemi një natë të gjatë, të vështirë”.
Megjithë kursin e pritur të uraganit përgjatë Bregdetit Perëndimor – për bregdetin lindor dhe qytete të mëdha si Miami nuk ka sinjal se rreziku kaloi: meteorologët thonë se Irma është kaq i madh, sa edhe ata do të preken nga uragani.
Për më shumë se një milion familje është ndërprerë energjia elektrike. Në Florida janë ngritur më shumë se 500 strehime emergjence. Guvernatori Rick Scott pati paralajmëruar me forcë se stuhia është vdekjeprurëse.
“Shteti ynë nuk ka parë kurrë diçka të tillë. Miliona banorë do të ndiejnë pasoja të ndieshme, me dallgë vdekjeprurëse baticash dhe erëra kërcënuese për jetën”.
Guvernatori u dha urdhrin e angazhimit të 7.000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Floridas. Nga Gardat e tjera Nacionale janë në gatishmëri rreth 30.000 vetë për të dhënë ndihmën e tyre në Florida./Mesazhi/