Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irlanda dorëzon deklaratën se do t’i bashkohet çështjes së gjenocidit kundër Izraelit...

Irlanda dorëzon deklaratën se do t’i bashkohet çështjes së gjenocidit kundër Izraelit në gjykatën e OKB-së

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka bërë të ditur se Irlanda ka dorëzuar një deklaratë për t’iu bashkuar çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në gjykatën e lartë të OKB-së, transmeton Anadolu.

Siç njoftoi gjykata e lartë e OKB-së, duke iu referuar nenit 63 të Statutit të Gjykatës, “Irlanda dorëzoi në Regjistrin e Gjykatës një deklaratë të ndërhyrjes në çështjen lidhur me Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës” ose të Afrikës së Jugut kundër Izraelit.

Muajin e kaluar, ministri irlandez i Punëve të Jashtme, Micheal Martin, njoftoi se ata do t’i bashkoheshin çështjes pasi të siguronin miratimin e qeverisë për masën sipas Konventës së Gjenocidit.

Sipas nenit 63 të gjykatës së OKB-së, çdo shtet palë në një konventë që është nën shqyrtim gjyqësor ka të drejtë të ndërhyjë, duke e bërë për ta të detyrueshëm edhe interpretimin e asaj konvente.

Në dhjetor të vitit 2023, Afrika e Jugut paraqiti një kërkesë për fillimin e procedimeve kundër Izraelit, duke pretenduar shkelje të Konventës së Gjenocidit në lidhje me palestinezët në Rripin e Gazës. Disa vende i janë bashkuar që atëherë çështjes, duke përfshirë Nikaraguan, Kolumbinë, Libinë, Meksikën, Palestinën, Spanjën dhe Türkiyen.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

pothuajse 46 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Rripin e Gazës dhe mbi 105 mijë të tjerë janë plagosur.

Sulmet izraelite gjithashtu kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Exit mobile version